Trajneri i skuadrës së madhe në Kategorinë e Parë: Nuk është problem virusi, por do luajmë në 40 gradë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2020 | 12:43

Trajneri i skuadrës së madhe në Kategorinë e Parë: Nuk është problem virusi, por do luajmë në 40 gradë…

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” ka theksuar se me punën që filloi dje do të mundohet ta sjellë skuadrën në formë deri në momentin e rinisjes së garës. Kryepankina verdhejeshile u shpreh i shqetësuar për temperaturat e larta të verës.

gjyla

Gjyla tha se Lushnja do të japë maksimumin për pjesën e mbetur të sezonit, duke nënvizuar se mbetet në merak për shëndetin e lojtarëve, pavarësisht se situata i duket më e fryrë sesa është.

Profesor, pas 65 ditësh, sërish në stadium. Çfarë i thatë skuadrës pas një kohe kaq të gjatë?

Me thënë të drejtën, kisha harruar disa gjëra për të thënë(qesh). Më shumë se dy muaj, një kohë e gjatë, sinqerisht. Kështu ndodhi dhe ishte për të gjithë, nuk ishte vetëm për ne. Ajo që na ngroh është që katër javë janë të mjaftueshme për t’u përgatitur. Ndoshta edhe më pak për gjashtë javë të mbetura. Kemi filluar stërvitjen dhe mendoj se do jemi gati.

 Lojtarët ishin të stërvitur?

Çunat jo se nuk kanë bërë stërvitje, kanë punuar individualisht, por gjithsesi mbetet në këtë kuadër. Do të mundohemi që me punën që kemi filluar, ta sjellim në formë ekipin deri në momentin kur të fillojmë të luajmë ndeshjet. Një pasdite shumë e nxehtë.

Ju shqetësojnë temperaturat e larta?

Pa diskutim. Jo që më shqetësojnë, por do të jenë determinante për ecurinë në kampionat, për çdo skuadër. Në mesin e muajit maj kemi temperatura 34 gradë, ndërkohë që kemi marrë informacione përmes mediave se do të jetë vera më e nxehtë e të gjithë kohërave. Imagjinoni të luhet në muajin korrik, me temperatura 40 gradë. Për të mos thënë më tepër, sepse mendohet që do të shkojnë më tepër.

gjyla

Futboll në këto temperatura…

Të bësh futboll në këto temperatura mendoj se cilësia do të jetë shumë herë më e ulët. Megjithatë, kur u ndanë, këto në ranë. Është për të gjithë, skuadrat do të kenë të njëjtin problem. Ajo që më shqetëson më shumë nuk është kjo që do të mbarojë, por ajo që do të vijë. Do të mbarojmë kampionatin në fund të korrikut dhe jemi pretendentë për në Superiore. Do të hyjmë apo nuk do të hyjmë, kjo ka rëndësinë e vet. Do të jemi në Superiore apo në Kategorinë e Parë.

Në ç’kuptim?

E kam për atë që do të them se çfarë do të bëjmë për kampionatin tjetër. Në Shqipëri nuk ka skuadra të konsoliduara, aq më tepër Lushnja. Nuk është se jemi të konsoliduar me 70%- 80% të skuadrës dhe pjesën tjetër duam ta mbushim. Ndoshta është shpejt për të folur, kemi këto ndeshjet e mbetura të këtij sezoni dhe do të japim maksimumin.

E keni merak shëndetin e lojtarëve?

Patjetër, mbetem në merak për shëndetin e lojtarëve. Edhe pse me sinqeritet them se situata ka qenë e fryrë, më e fryrë nga çfarë është në të vërtetë. Faktet kanë treguar se nuk ka asgjë, megjithatë është normale që kam merak për lojtarët. Edhe sot(dje) patëm stërvitje me maska, me të gjitha, brenda atyre parametrave dhe rregullave që janë vënë. Do të vazhdojmë me masat që ka vënë UEFA, FSHF-ja dhe qeveria, strikt dhe pa asnjë diskutim.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"