Trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë zbulon “afrimet”, dy serbë e një mesfushor Superlige

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2019 | 10:45

Trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë zbulon “afrimet”, dy serbë e një mesfushor Superlige

Besëlidhja është pushim deri më 6 janar 2020, kur do të nisë fazën përgatitore dimërore. Gjatë merkatos së janarit Besëlidhja do të zyrtarizojë 3 blerje, një portier, një mesfushor dhe një sulmues, që do të zëvendësojnë tre të larguarit Bajri, Kamara dhe Soumah. 

elvis plori

Me lezhjanët pritet të bashkohen dy serbë dhe një futbollist i Superiores, siç bën të ditur për gazetën trajneri Elvis Plori gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”. “Me largimin e tre futbollistëve lindi nevoja për t’i zëvendësuar me të tjerë më kualitativë. Thuajse i kemi vënë piketat për të tre, një portier dhe një sulmues nga Serbia dhe një mesfushor qendre i Superiores sonë. Ende nuk e kemi arritur akordin, jemi shumë pranë, ndaj s’mund t’i përmend emrat.

beselidhja

Objektivi i Besëlidhjes dhe situata që u rëndua pas barazimit ndaj Egnatias e dënimit të Shkumbinit, na detyrojnë të ndërhyjmë në merkaton e janarit, pavarësisht se skuadra ka kualitete. Jam me parimin e ruajtjes së skuadrës dhe kështu po bëjmë, por largimi i tre futbollistëve na e krijoi këtë mundësi. Shpresoj të marrim produktin e duhur që të na shërbejë për përforcimin e skuadrës. Ruajtja e grupit është shumë e rëndësishme për suksesin.

Pozitive është mbështetja e presidentit që na mundëson afrimin e këtyre kualiteteve që i kam piketuar vetë. Skuadra do të grumbullohet më 6 janar dhe shpresoj që ditën e parë t’i kem në dispozicion edhe blerjet e reja. Për fazën përgatitore dimërore do të flasim më vonë, sepse ende nuk e dimë ku do të zhvillohet. Duke përfituar nga kjo intervistë, dua t’u uroj gëzuar Vitin e Ri 2020 të gjithëve atyre që bashkëpunoj dhe tifozëve lezhjanë”.

Preng GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"