Trajneri i ri në krye të Apolonisë, Dovedan “shëron” fierakët: Ja çfarë më tha presidenti për merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2022 | 14:18

Trajneri i ri në krye të Apolonisë, Dovedan “shëron” fierakët: Ja çfarë më tha presidenti për merkaton

Veljko Dovedan “shëron” Apoloninë. Skuadra ka tjetër ritëm që prej momentit që erdhi trajnerin e ri në krye të pankinës. Vërtetë nuk debutoi me fitore kundër Skënderbeut, por ia doli në të dytën. Kundër Besëlidhjes fituan, madje në transfertë.

DOVEDAN

Boshnjaku ka dy javë që ka marrë drejtimin dhe në kamp ka tjetër atmosferë. Mjaftoi një trepikësh, që mungonte prej 73 ditësh, për t’iu larguar zonës së rënies.

Dukshëm ka më shumë frymëmarrje, por jo qetësi. Dhe ky është shkaku që tekniku nuk po e ul dozën e përgatitjeve dhe çdo seancë ka përkushtimin e tij maksimal.

Ai kërkon vazhdimësi edhe kundër Luzit 2008, që e luajnë sërish jashtë fushe. Një rezultat negativ mund t’i zbresë sërish poshtë dhe kjo është e vetmja gjë që nuk duan në Fier.

Ushtrimet në seancën e djeshme ishin të larmishme. U punua me dhe pa top brenda një kuadrati të ngushtë, po njëkohësisht edhe të gjerë.

Për fat të mirë grupi është i plotë dhe pa probleme fizike dhe kjo i jep mundësi zgjedhjeje stafit teknik. U bënë ditë që skuadra po kryen dy seanca njëra pas tjetrës për të gjetur perfeksionin dhe duhet thënë që lojtarët po shfaqin “xixa” në fushë.

Secili do të që të bindë Dovedanin për një vend në 11-she. Edhe pse konkurrenca është rritur, merkatoja është e pashmangshme.

Një gjë të tillë e paralajmëroi vetë trajneri për gazetën, ndërsa tha: “Presidenti më ka dhënë OK-in për të bërë afrime”.

Ndërhyrjet do të prekin çdo repart në janar, por prioritet do të jetë shtimi i eksperiencën. Lojtarë të rinj dhe të talentuar nuk i kanë munguar kurrë Apolonisë, por përvoja po. Dhe në kësi kushtesh, vëmendja do të vendoset pikërisht këtu.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"