Trajneri i ri i Tiranës, 15 këshilla “pikante” për Memën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 22:29

Trajneri i ri i Tiranës, 15 këshilla “pikante” për Memën

Gazeta “Panorama Sport” e ka traditë tashmë që trajnerëve të rinj t’u japë ndonjë këshillë para se ata të nisin aventurën. Natyrisht, jo gjithnjë e bëjmë këtë, por duke qenë se Tirana hoqi edhe të huajin e fundit që ishte në stolin e Superiores, menduam që ta ndihmojmë pak Ardian Memën se ndoshta është shkëputur më shumë se sa duhet nga bardheblutë. Ai dhe të tjerët që janë përmendur nuk kanë pse na i marrin për ters “këshillat”. I kemi me humor dhe pa të keq.

ardi mema tirana

1. Së pari duhet të rregullosh mbrojtjen. Pa qenë i sigurt mbrapa, të shkon mundi dëm edhe kur shënon.

2. Së dyti, duhet të bashkosh grupin. Ndarjet mes vendësve dhe të huajve nuk janë edhe aq të mëdha, por as të vogla nuk janë.

3. Duhet t’iu mësosh njëherë e mirë Dokës dhe Hoxhallarit se nuk mjaftojnë dy apo tri ndeshje të shkëlqyera për të qenë i rëndësishëm te Tirana. Duhen ndeshje të mira vazhdimisht dhe përqendrim maksimal.

4. Bëja të qartë Karabecit se sa më shpejt të veprojë me topin dhe sa më i shpejtë të jetë në mendim, aq më i vlefshëm bëhet për skuadrën.

5. Blazhevski ka nevojë të kuptojë se nuk fitohen ndeshjet vetëm me grintë dhe duke sharë kundërshtarin. Duhet maturi dhe ftohtësi.

6. Atingës dhe Berishës bën mirë t’u japësh disa video të Dedes, Dabullës, Sinës etj., që të kuptojnë se si mbrohet te Tirana.

7. “Milanistit” Oduamadi përsëriti vazhdimisht se në Shqipëri kanë dështuar edhe “juventinë” si Iuliano e Moxhi apo edhe “interistë” si Ze Maria. Kampionati shqiptar nuk është Seria A, por nuk është as kalçeto që të luash pa pikë përgjegjësie.

8. Hasanit kujtoja sa më shpesh se është aty për të ndihmuar në ngjitjen e bardhebluve drejt kreut dhe jo që të rrëshqasin sërish. Tirana ishte në Kategorinë e Parë, nuk ka pse ndjek sërish Vllanzinë nga mbrapa…

9. Kur t’i vijë ora, bëja të qartë edhe Halilit se ndonjë lojtar me peshë edhe duhet marrë nga rivalët. Fundja kjo është tradita e Tiranës: merr më të mirët…

10. Ruhu nga drejtorët! Ze Maria vetëm për ata u ankua kur iku. Kështu edhe Halili është më i qetë që formacionin të mos ia bëjnë gazetarët…

11. Ti, Ard Mema mund ta ndiesh më shumë se kushdo fanellën bardheblu, por duhet të kesh durim me të tjerët. Është shumë e rëndësishme që këtij grupi t’i marrësh maksimumin. Mund të mos e fitosh titullin, por edhe Laçi me Kamzën do vuajnë pak më shumë për të të mundur në shtëpi…

12. Sentamusë thuaji që mund të bëjë edhe 30 gola në stërvitje, por nëse nuk shënon në ndeshjet e vërteta, nuk e ka vendin te Tirana.

13. Kujtoji vazhdimisht skuadrës se keni një nga sulmuesit më të gjatë në Superiore. Ngosë mund edhe t’i krosojnë ndonjëherë si duhet. Por t’i krosojnë, jo ta hedhin topin në lartësi kuturu…

14. Gjej mënyrën të marrësh rezultate. Të qenit burrë i mirë, trajner i mirë, ekspert, i ri, i vjetër apo i huaj nuk pi ujë te Tirana…. Duhen rezultate, a e beson? Nëse jo, mund të pyesësh Maganin, Dajën, Ze Marian…

15. Ah, edhe diçka të fundit: fito një derbi dhe gjithçka do të ndryshojë. Shpesh, tatëpjetat e mëdha bardheblu kanë nisur te derbit që nuk i fitojnë dot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"