Trajneri i ri i Bylisit me plane të qarta në merkato, gati të “peshkojë” afrime në kampionatin grek

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 21:55

Trajneri i ri i Bylisit me plane të qarta në merkato, gati të “peshkojë” afrime në kampionatin grek

Bylisi me në krye trajnerin, Arjan Bellai, po kërkon që ta nisë mbarë sezonin 2022-2023, teksa në javën e parë mallakastriotët luajnë në “Adush Muça”, të dielën, në orën 17:00. Bylisi pret Kastriotin në Ballsh, ndërsa skuadra pret ende nga merkatoja, pasi po punohet për përforcime deri në limitin e afatit kohor të tregut. Ballshiotët kanë në plane për afrime lojtarësh nga porta në sulm.

BELLAI

Presidenca duket se nuk është nxituar, nisur edhe nga fakti se ndryshimi i pankinës shoqërohet edhe me preferencat e trajnerëve për tipat e lojtarëve. Tashmë, me Bellain e konfirmuar, në Ballsh janë duke e shfrytëzuar në maksimum këtë periudhë, ku vijojnë bisedimet me lojtarë të huaj, teksa gjasat më të mëdha janë që të vijë ndonjë lojtar nga kampionati grek.

Përpos kësaj, trajneri Bellai dhe stafi i tij janë duke menduar për skuadrën anti-Kastriot, sepse do të kërkojnë me çdo kusht ta nisin mbarë dhe me 3 pikë kampionatin.

Asnjë “fytyrë” e re nuk është parë në seancën e djeshme, madje edhe mbrojtësi Janku vazhdon që të stërvitet me Bylisin, derisa të gjendet gjuha e përbashkët mes presidentit Kapllanaj dhe drejtuesve të Dinamos.

Kërshëria për të parë skuadrën e re në aktivitet e ka shtuar interesimin te tifozët ballshiotë. Nga ajo që u pa në seancën e djeshme nuk ka lëvizje në staf, madje Bellai krahas Mihailidhis do të ketë në krah edhe Eduart Miçon si trajner portierësh dhe Arvid Bregasin si ndihmës.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"