Trajneri i ri i Apolonisë: Do të luajmë gjithnjë për fitore, edhe ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 17:25

Trajneri i ri i Apolonisë: Do të luajmë gjithnjë për fitore, edhe ndaj Tiranës

Një ditë pas zyrtarizimit në krye të Apolonisë, trajneri i ri Ndriçim Kashami rrëfehet për gazetën. Tekniku, i cili ka drejtuar më parë Egnatian dhe së fundmi ka qenë zv.trajner te Besa, tashmë ka marrë përsipër të drejtojë një ekip të një niveli tjetër siç është Apolonia. Ai flet me superlativa për idetë që kanë drejtuesit e klubit, si dhe infrastrukturën e mirë që është. Megjithatë, Kashami tani e ka bërë zgjedhjen e tij dhe është i gëzuar, sepse tek Apolonia ai mund të punojë në mënyrë shumë komode.

ndricim kashami

KASHAMI

“Bisedat e mia me drejtuesit e skuadrës janë gati 2-3-vjeçare dhe unë kam qenë i vëmendshëm ndaj çdo zhvillimi dhe dinamike të Apolonisë. E njoh skuadrën që kur e drejtonte Artan Mërgjyshi. Ndaj pretendoj se e njoh aq sa duhet. Unë kam bindje të plotë dhe të palëkundshme që jam në gjendje ta ndërtoj ekipin, edhe pse mund të ketë lëvizje.

Më shumë se tek aftësitë e mia apo dhe te vlerat e lojtarëve, besoj tek Apolonia, emri dhe tradita e kësaj skuadre, një motiv më shumë për të bërë të gjithë maksimumin në emër të fanellës. Nuk i trembem absolutisht kësaj sfide dhe jam shumë optimist. Unë pretendoj dhe do të bëj çmos ta ruaj këtë grup.

ndricim kashami1

Nëse nuk arrihet kjo gjë, atëherë shumë shpejt do krijoj një grup të fortë, jua siguroj. Unë do të jap sugjerimet e mia mbi çdo repart ku skuadra ka nevojë për përforcime, por vendimet do të jenë kolegjiale. Me emra lojtarësh kurrë nuk kam pasur dëshirë të merrem. Megjithatë, them se është ende herët dhe gjithçka do të bëhet në kohën e duhur”, u shpreh fillimisht Kashami.

I pyetur për objektivat, trajneri i skuadrës fierake u përgjigj: “Së pari, e vlerësoj në maksimum punën e jashtëzakonshme që ka bërë kolegu Elidon Demiraj, me të cilin do të kem kontaktin e parë, duke i kërkuar me shumë sinqeritet këshillat dhe sugjerimet e tij, pasi është ai që e njeh më mirë se askush skuadrën.

Do të krijoj ekip serioz, që do të thotë se skuadra do të luajë për fitore në çdo ndeshje, ndaj çdo kundërshtari, në çdo fushë, qoftë edhe ndaj Tiranës. Nuk do t’i nënshtrohemi fatit dhe nuk do futemi si inferiorë në fushë, por do të forcojmë mentalitetin e fituesit.

Unë e kam të qartë filozofinë që duhet injektuar në skuadër. Jam i bindur se do rritemi ndjeshëm dhe do jemi konkurrues për t’u renditur në pesë ekipet e para të kampionatit. E di që tifozët fierakë janë të ndjeshëm. Do të doja që të ktheheshin e të mbushnin stadiumin, sepse janë pjesë shumë e rëndësishme e jona”, përfundoi Kashami.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"