Trajneri i Portugalisë feston sot ditëlindjen e 63-të: Dua dhuratë kualifikimin direkt në Botëror

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 11:47

Trajneri i Portugalisë feston sot ditëlindjen e 63-të: Dua dhuratë kualifikimin direkt në Botëror

Në prag të sfidës ndaj kombëtares zvicerane për kualifikimin direkt në Kupën e Botës, trajneri i kombëtares portugeze, Fernando Santos, është i bindur se ekipi i tij do të kualifikohet në Botëror në të njëjtën ditë kur ai feston edhe 63-vjetorin e tij.

santos

Gjatë konferencës, lidhur me këtë sfidë, ai tha: “Jam i bindur se gjatë ditës së martë lojtarët do të më dhurojnë një fitore duke u kualifikuar në Kupën e Botës. Zvicra ka një skuadër tepër të fuqishme, e cila ka arritur të fitojë në nëntë ndeshjet e luajtura. I dimë të gjitha vështirësitë e kësaj sfide dhe që do të përballemi me një kundërshtar me shumë kualitet”.

Trajneri shtoi: “Ndaj Zvicrës duhet të jemi të mirëorganizuar dhe nuk kemi hapësira për të gabuar. Do të jemi gjatë të gjithë sfidës në kërkim të golit, por do ta bëjmë këtë gjë me shumë kujdes dhe përqendrim. Duam me patjetër triumfin në këtë ndeshje të fundit”.

Fernando Santos gjithashtu ka folur për kundërshtarët zviceranë, duke thënë se edhe ata e meritojnë kualifikimin në Kupën e Botës, por nuk mendon se gjatë sfidës së sotme, ata do të mbyllen në mbrojtje.

“Kombëtarja zvicerane ka mënyrën e saj tipike të të luajturit, ndaj mendoj se ata nuk do ta ndryshojnë këtë gjë vetëm për përballjen me ne”. Sa i përket rëndësisë që ka triumfi në Europian, Santos nuk mendon se kjo gjë të jep avantazhin për të qenë favorit:

“Nuk mund të themi sikurse kemi bërë më parë se nuk kemi qenë kurrë kampionë të Europës. Pikërisht për këtë arsye duhet të jemi edhe më të përgjegjshëm. Duam të kemi një skuadër, e cila shënon rekorde sa u përket sfidave kualifikuese dhe do ta bëjmë këtë gjë realitet në sfidën e sotme”.

Kombëtarja portugeze është pjesë e grupit B me 24 pikë, tri më pak se kombëtarja zvicerane. Në këtë mënyrë, ata synojnë të mundin Zvicrën për të shënuar kështu të shtatin kualifikim të suksesshëm për në Kupën e Botës, e cila do të zhvillohet në Rusi në vitin 2018. Sfida mes këtyre dy ekipeve do të luhet në stadiumin “Estado da Luz” dhe do të gjykohet nga arbitri me origjinë turke, Xhynej Çakër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"