Trajneri i portierëve do të drejtojë Skënderbeun: Situatë e pazakontë, ia dalim ndaj Orikut!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2022 | 11:10

Trajneri i portierëve do të drejtojë Skënderbeun: Situatë e pazakontë, ia dalim ndaj Orikut!

Skënderbeu do të kërkojë fitoren e parë sot kundër Orikut në fushën asnjanëse të Fierit, në një ndeshje që ka specifika dhe vështirësi për korçarët nga të gjitha drejtimet.

ERION LLAPANJI

Skuadra bardhekuqe nuk do të ketë dyshen e zakonshme të trajnerëve, pikërisht kreun e pankinës Migen Memelli dhe ndihmësin e tij, Gentian Liçi, të cilët janë dënuar nga Disiplina pas ngjarjeve në ndeshjen ndaj Dinamos.

Me siguri, sot, ata do të jenë në rrethimin e jashtëm të aneksit të stadiumit të Fierit, duke u përpjekur të japin ndonjë udhëzim nga distanca.

Mirëpo, në stol e gjithë përgjegjësia në drejtimin e ekipit është e trajnerit të portierëve, Erion Llapanji. Ky i fundit është caktuar të jetë drejtuesi i skuadrës në përballjen me Orikun.

Në një bisedë për “Panorama Sport”, para kësaj ndeshjeje, ish-portieri Llapanji tregon emocionet që ka dhe vështirësitë për arritjen e objektivit maksimal.

“Kjo është një situatë e pazakontë për ne, pasi duket si diçka përtej normales. Personalisht ndiej emocion dhe mbi të gjitha përgjegjësi që do të jem më krye të ekipit për këtë takim.

Ndeshjen e kemi përgatitur mirë dhe gjithçka duket në normalitet. Skuadra është e mobilizuar dhe e angazhuar për të bërë më të mirën e mundshme.

Çdo takim është i vështirë, ndaj duhet të jemi të përqendruar ndaj një kundërshtari si Oriku. Pas dy barazimesh duhet të gjejmë fitoren, pasi kjo do të na jepte më shumë besim për vijimin e se zonit”, deklaroi Llapanji.

TITULLARËT – Korçarët, përtej situatës së vështirë duket se kanë mbyllur gjithçka për sa i përket formacionit që do të hedhin në fushë në orën 15:00. Porta duket e blinduar nga Ruçi, që ka bërë mrekulli ndaj Dinamos.

Para tij në mbrojtje, do të luajë Frashëri nga e djathta dhe kapiteni Zguro nga e majta. Në qendër do të jenë Rapa dhe Prençi, që kompletojnë prapavijën.

Në mesin e fushës Alii zhvendoset në rolin e kontrollorit, ndërsa Liço dhe Pecani janë ata që do të merren me ndërtimin e aksioneve. Ndërsa, në repartin ofensiv, Pusi dhe Lika do të jenë në mbështetje të Abubakar, që është i vetëm në majë të sulmit.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"