Trajneri i Pogradecit skanon liqenorët, Abazaj: Janë larguar 4 lojtarë, kemi një rikthim të madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2021 | 15:14

Trajneri i Pogradecit skanon liqenorët, Abazaj: Janë larguar 4 lojtarë, kemi një rikthim të madh

Trajneri i Pogradecit, Ardian Abazaj, është optimist për sezonin e ri, teksa e ka mirëpritur ndryshimin e strukturës, duke shkrirë grupet dhe bërë kampionatin me 16 skuadra.

abazaj

Në një bisedë për “Panorama Sport”, Abazaj ka folur për fazën përgatitore dhe synimet që do të kenë liqenorët këtë sezon në Kategorinë e Parë.

“Kemi një javë që kemi filluar stërvitjen dhe po ecim me ritme të mira. Skuadra momentalisht ka pasur katër largime, duke filluar nga portieri Baçi, mesfushorët Abazaj e Manellari, si dhe sulmuesi Dragoi. Këto janë katër largimet e para, por përtej kësaj, situata është e mirë me çfarë unë kam vënë re deri këtë javë. Kemi afruar 7 lojtarë nga ekipi i të rinjve dhe gjatë gjithë fazës përgatitore deri në momentin që do të fillojë kampionati ata do të jenë në vëzhgim”, ka thënë fillimisht Abazaj, ndërsa konfirmoi edhe blerjen e parë, pikërisht rikthimin e mesfushorit Ildi Shyti, i cili në sezonin e kaluar ishte pjesë e Egnatias.

“Përveç të rinjve, në skuadër është rikthyer Shyti, i cili është një lojtar dhe njeri me vlera të mëdha. Në këtë merkato ne jemi vetëm në kërkim të një portieri cilësor, sepse repartet e tjera mendoj se janë të kompletuar. Klubi është në kontakt me një portier, por emrin nuk mund ta bëjmë të ditur. Objektivi ynë këtë sezon do të jetë të renditemi sa më lart në tabelë, pasi kemi cilësi si ekip. Më pëlqen edhe formati i ri me 16 skuadra. Kam besim se do të jetë kampionat më cilësor se ai i sezonit të kaluar. Ky ishte ndryshimi i duhur”, përfundoi trajneri.

REDI DANDALLAKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"