Trajneri i Pogradecit “sfidë” rivalëve: Nuk jemi qaramanë, gati t’i luajmë të gjitha ndeshjet në transfertë për kundërshtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2020 | 13:18

Trajneri i Pogradecit “sfidë” rivalëve: Nuk jemi qaramanë, gati t’i luajmë të gjitha ndeshjet në transfertë për kundërshtarët

Te Pogradeci nuk e diskutojnë ngjitjen. Edhe pse u bënë dy muaj pa futboll, trajneri Ardian Abazaj është i bindur te forca e skuadrës që ai drejton. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës së liqenorëve nuk ngurron që t’u shpallë “luftë” rivalëve. Ai paralajmëron se do të dalin fitimtarë nga ky sezon, edhe nëse do i luanin që të gjitha ndeshjet e mbetura në transfertë. Gara pritet të jetë e fortë, pasi si Apolonia dhe Lushnja nuk kanë në plan që të heqin dorë nga misioni “Superiore”.Abazaj222

U bënë dy muaj pa futboll dhe një datë zyrtare për rifillimin e futbollit mungon. Si po shkon kjo periudhë pritjeje për Pogradecin?

Është një pritje e gjatë. Ne jemi gati për të filluar përgatitjet, edhe pse nuk na mbetet tjetër veçse të respektojmë vendimin. Më vjen mirë që edhe futbollistët janë gjithashtu të gatshëm për të filluar procesin stërvitor. Nuk shoh asnjë ngurrim tek ata dhe kjo më gëzon.

Si po vazhdon procesi stërvitor në ekipin tuaj?

Ne akoma jemi me plane individuale, ku futbollistët më shumë i kanë kushtuar rëndësi përgatitjes fizike dhe e zhvillojnë atë sipas programit që i kemi paracaktuar ne si staf. Por ka ardhur koha që të zbresim në fushë dhe të nisim seancat normale.

Sa kohë i duhet një ekipi që të jetë gati për rinisjen e sezonit, pas kësaj shkëputjeje prej 62 ditësh?

Na duhen të paktën 21 ditë përgatitje për të qenë maksimalisht gati.

Kundërshtarët ndihen të favorizuar nga shorti dhe u janë ndezur shpresat për kreun. Si e komenton Abazaj kalendarin e ndeshjeve të mbetura?

Ne e kemi mbështetur suksesin vetëm dhe vetëm tek aftësitë tona në çdo drejtim. Nuk jemi marrë dhe nuk merremi se kanë filluar apo jo stërvitje rivalët. Nuk jemi treguar aspak egoistë e qaramanë, madje e them me bindje se nuk jam interesuar fare se çfarë bëjnë ata. Unë jam i fokusuar vetëm tek ekipi im dhe kam thënë se liqenorët e kanë fatin e Superiores në dorën e tyre.pogradeci

Faktori fushë mendoni se do të jetë përcaktues?

Jo dhe për këtë jam i prerë, pasi sikundër edhe dihet, që të gjitha ndeshet do të luhen pa spektatorë. Por edhe nëse do të ishin, ne kemi treguar se luajmë dhe fitojmë në çdo fushë. Por nëse kundërshtarët e kanë merak këtë pjesë, më lejoni t’jua përsëris atë që kam thënë: Jemi gati t’i luajmë të gjitha ndeshjet në fusha asnjanëse ose në ato të kundërshtarëve.

Është sfidë kjo apo keni nisur “luftën” psikologjike?

Ua kujtoj të gjithëve se ne kemi mundur kundërshtarët tanë të tanishëm edhe në fushat e tyre, pavarësisht se në ndonjë ndeshje na kanë marrë barazim dhe jo u kemi marrë atyre. I dinë vetë kundërshtarët se si i kanë marrë, por për mua është një kapitull i mbyllur dhe tani le të përshtatemi me këtë realitet të ri.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"