Trajneri i Partizanit shpall objektivat: Synojmë titullin dhe Kupat e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2017 | 15:08

Trajneri i Partizanit shpall objektivat: Synojmë titullin dhe Kupat e Europës

Volejbolli i femrave nis sot rrugëtimin për 2017-2018. Pas Kupës së Federatës, skuadra e Partizanit hodhi kandidaturën për titullin kampion. Me jo pak ndryshime, kryeqytetaset e drejtuara nga trajneri Roland Tarja do të kërkojnë kthesën këtë sezon. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Tarja shpalli objektivat që janë titulli i shumëpritur kampion dhe pjesëmarrja në Kupat e Europës.

Tarja

A ishte Kupa e Federatës testi real për Partizanin para kampionatit?

Në Kupën e Federatës shfaqëm disa probleme gjatë të dyja ndeshjeve, sidomos në finale. Problemet vijnë si rrjedhojë e kohës së pakët e përgatitjeve me top. Direkt pas Kupës së Federatës patëm një ofertë për të marrë pjesë në një turne në Turqi, por, për shkak të kohës së gjatë që zgjaste turneu, zgjodhëm një turne njëditor në Malin e Zi të ftuar nga nënkampionët vendës, Moraça.

Roland Tarja Partizani

Nga tri miqësore, i fituam të gjitha, dy 3-0 dhe një 3-1. Gjithashtu kemi luajtur edhe një miqësore me nënkampionët e Kosovës, Skënderaj. Skuadra nuk është në 100 përqindëshin e saj e gatshme për të dhënë maksimumin, por që përgjatë këtyre ndeshjeve diçka ka ndryshuar, sidomos në ndërtimin e lojës.

Jam shumë i kënaqur me shpërndarjen e lojës, në fazën e shërbimeve dhe në mbrojtje, por vazhdojmë të hasim vështirësi në kundërsulm dhe në marrjen e topit. Nëse vitet e tjera si objektiv kemi patur kualifikimin në katërshe dhe ka qenë sukses kalimin në finale, këtë vit finalja është detyrim. Njëherësh fitimi i trofeut është detyrim.

Përpara aktivitetit, ju bëtë goditje të dyfishtë në merkato ndaj rivalit tuaj. I morët dy nga titullaret, gjithashtu edhe sponsorin. Mos vallë ishte një taktikë juaja për ta dobësuar?

Volejbollistet lëvizin nga një skuadër në një tjetër, atje ku ndihen dhe do të shprehin sa më mirë aftësitë e tyre. Të dyja lojtaret kanë qenë “ish” të Partizanit dhe u rikthyen. Mendoj se ndihen mirë. Kuptohet që lojtaret ndryshojnë skuadra për të arritur objektivat e tyre personale dhe kolektive.

Tek ne gjetëm një projekt mjaft të mirë, i cili ka një bashkëpunim mes drejtuesve të klubit, veçanërisht drejtorit ekzekutiv Shkëlqim Muça dhe sponsorit kryesor Rogert Huqi, së bashku me Indrit Tershanën.

Roland Tarja

Ky bashkëpunim bazën e ka te kampionati shqiptar dhe pjesëmarrja në Kupat e Europës. Jemi një skuadër me emër të madh, ndaj duhet respektuar. Projekti përfshin edhe zgjedhje për organet drejtuese, Bordin dhe presidentin në fund të muajit tetor.

Çfarë u pa në Kupën e Federatës, janë pritshmëritë për një kampionat më të fortë se një vit më parë?

Është herët për të dhënë një prognozë të kampionatit. Mendoj se edhe këtë vit katër skuadrat që pretendojnë janë Tirana, Barleti Volej, Teuta dhe sigurisht Partizani. Titulli na mungon prej vitesh dhe shpresoj që skuadra të rritet dita-ditës e të jemi të gatshëm në momentin dhe kohën e duhur.

Partizani Voeljboll

Kampionen në fuqi e pozicionuat të dytën në garën për titull…

Volejbolli i femrave është shumë i çuditshëm. Ato kanë përvojën e skuadrës kampione, por kësaj radhe shpresoj se kemi një shpërndarje të balancuar të lojtareve. Ndaj këtë vit kampionati do të jetë edhe më i bukur. Shpresoj që të jenë më të bukura se ndeshjet e Kupës së Federatës nga mënyra e lojës në aspektin tekniko-taktik.

Do të jetë ky viti i kthesës së Partizanit?

Ne po punojmë me të gjitha mënyrat për të rikthyer këtë skuadër. E kemi nisur prej 3-4 vitesh, kësisoj ky sezon do të jetë vendimtar. I kemi të gjitha mundësitë si financiarisht, kemi palestrën tonë. Për momentin skuadra është e komplikuar. Është rikthyer një vajzë. Por do ta shohim përgjatë kampionatit. Nëse do të ketë nevojë për ndryshime, përse jo do të hyjmë në merkato.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"