Trajneri i Partizanit: Federata po tallet, jemi kthyer si në kooperativë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2020 | 9:24

Trajneri i Partizanit: Federata po tallet, jemi kthyer si në kooperativë

Pas reagimeve të Goga Basket dhe Teutës, tashmë është skuadra e Partizanit që prononcohet për situatën e paqartë që po kalon basketbolli, ku ende nuk dihet asgjë se çfarë do të ndodhë me sezonin 2019-2020. Arben Fagu, trajneri i Partizanit, në një intervistë për “Panorama Sport”, komenton aktualitetin në sportin e koshit. arben-fagu

MUNGESA E VENDIMIT PËR FATET E SEZONIT

Fillimisht Fagu flet për mungesën e një vendimi përfundimtar nga FSHB për sezonin aktual, ku tregon problematikat dhe fajëson federatën për këtë gjendje: “Federata ka 4 muaj që nuk merr asnjë lloj vendimi dhe e vetmja shprehje që del në shkresat e federatës kur kërkohet një përgjigje është: ‘Durim, durim’. Pra, FSHB ka 4 muaj që tallet me ne dhe nuk e koncepton dot se çfarë problematikash janë krijuar te të gjitha ekipet, duke nisur që në aspektin organizativ, tek ai financiar si dhe te vështirësitë e përgatitjes së sportistëve. Madje, te lojtarët tani ka filluar të përdoret si shprehje: ‘Kemi ndonjë përgjigje nga durimi?!’, ku me fjalën ‘durim’ quajnë federatën. Federata e Volejbollit ka qenë më konkrete, si në komunikimet dhe problematikat, ashtu edhe në vendimet e marra. Nuk është problemi nëse duhet ta caktojnë datën tani apo më vonë, por ata duhet t’i mendojnë dhe studiojnë gjërat, duke iu referuar problematikave që ka basketbolli. T’i shikojmë me një tjetër sy gjërat, jo thjesht ky që kërkon fillimin është miku im apo jo”.

ZGJIDHJA MË E MIRË

Trajneri i “të kuqve” më tej thotë se për t’u kthyer në parket duhet minimalisht 1 muaj përgatitje, ndërsa zbulon edhe propozimet e bëra nga Partizani: “Edhe në diskutimet që kemi pasur para një muaji me gjashtë përfaqësuesit e skuadrave të Superligës, ne jemi shprehur nëse FSHB dëshiron që ta rifillojë sezonin, jemi dakord që të bëhet ose në muajin qershor, ose në shtator. Kjo nuk është për interesin e Partizanit, por sepse patjetër na duhet një periudhë minimalisht 1-mujore për t’u përgatitur. Nuk e merrni me mend se sa shumë problematika ka me dëmtimet në situata të tilla, ku lojtarët vijnë pas një pauze kaq të gjatë. Rifillimi me ngarkesa krijon probleme shumë të rënda për ta”.

NDIKIMET NË EDICIONIN E ARDHSHËM

Fagu shprehet se kjo situatë e paprecedentë pritet që të ketë ndikime negative edhe për të ardhmen, ndërsa i takon FSHBsë për ta nxjerrë basketbollin nga kjo gjendje: “Do të jetë një kthim mbrapa në nivel, por kjo është diçka që ndodh në të gjithë botën. Ajo që neve na takon është që të vendosim se çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen. E para që duhet ta bëjë këtë gjë është federata, por fatkeqësisht te ne nuk ekzistojnë as komisionet e trajnerëve, as komisionet teknike, apo komisionet e ekipeve kombëtare, prandaj FSHB qëndron gjithmonë me supe të ngritura dhe nuk është në gjendje të vendosë”.arben fagu

TITULLI NË TAVOLINË

Për sa i përket nëse duhet të ketë titull në tavolinë apo jo, trajneri i Partizanit driblon: “Nuk dua të bëhem aq egoist sa të përcaktoj se çfarë vendimi duhet marrë. Personalisht respektoj punën që kanë bërë të gjitha shoqatat dhe e kam të vështirë që të them nëse duhet të shpallet titulli kampion në tavolinë apo jo. Por, jam në gjendje që të them që nëse kjo vendoset me shumicë dhe për të mirën e basketbollit, le të bëhet që tani si të jetë më e mira”.

NDRYSHIMET STATURORE

Një tjetër temë e nxehtë e javëve të fundit ka të bëjë me asamblenë staturore, e cila do të mbahet në korrik para se të shkohet në zgjedhjet e FSHBsë. Këtu Arben Fagu tregohet i ashpër duke sulmuar punën e federatës, ku deklaron se basketbolli shqiptar është kthyer si kooperativë: “Ne e kemi marrë shumë seriozisht këtë pjesë, sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për interesat e Partizanit, por janë në mes interesat e të gjithë basketbollit shqiptar. Duhet të kemi diçka gjithmonë parasysh, të cilët duhet ta themi hapur: Basketbolli është kthyer si një kooperativë, ku është një person që nuk e ka fare në interes këtë sport.

Problemet e basketbollit janë shumë të mëdha, ndërsa statusin ne e kemi diskutuar si me juristë ashtu edhe me specialistë. Një nga problemet që kemi ngritur është që FSHB duhet të shërbejë për interesat e basketbollit dhe jo të njërit apo tjetrit. Basketbolli nuk është biznes. Një pjesë mund të ndërtohet për biznes, por mbi të gjitha basketbolli është kulturë qytetare dhe sociale që duhet t’u shërbejë fëmijëve, të rinjve dhe të gjithë atyre që kanë pasion për këtë sport. Gjithashtu, njerëzit profesionistë dhe ikonat e basketbollit, të cilët janë përjashtuar në mënyrën më arrogante nga jeta e basketbollit, duhet të rikthehen për të kontribuuar si në aspektin profesional ashtu edhe në atë organizativ”, përfundon Fagu.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"