Trajneri i parë i Sadikut tregon “recetën” për akademitë: Nuk duhen shpikje, mjafton të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2019 | 23:37

Trajneri i parë i Sadikut tregon “recetën” për akademitë: Nuk duhen shpikje, mjafton të…

Besnik Bashaliu është trajneri i parë që ka stërvitur bomberin e Kombëtares, Armando Sadikun, dhe në një prononcim për “Panorama Sport” tregon fillesat e sulmuesit.

besnik bashaliu

“Armando Sadiku është një nga produktet më cilësore që ka nxjerrë shkolla e futbollit elbasanas, teksa që në etapat e para të edukimit sportiv ka shfaqur cilësi dhe aftësi që e dallonin nga moshatarët e tij. Armando gjithmonë ka qenë pjesë e trajnimeve të moshave më të mëdha, për shkak të cilësive fizike, por edhe i aftësive shprehëse tekniko-taktike. Armando ka vënë gjithmonë primar rolin e grupit.

Gjithmonë është shquar për shpirt të lartë gare dhe grintë sportive, duke demonstruar në lojë kualitet teknik dhe orientim racional taktik në bashkëveprimet në skuadër. Tashmë, Armando mban mbi supe, veç rritjes cilësore dhe kualitetit profesional të futbollistit, edhe përvojën e fituar nga eksperiencat në disa nga klubet e Europës”, tregon fillimisht Bashaliu.

AKADEMITË SHQIPTARE

Në lidhje me akademitë, Bashaliu shprehet se mungon vizioni dhe strategjitë. “Çështja e akademive sportive sot në Shqipëri është një temë e gjatë diskutimi dhe nuk mundet kurrsesi të perifrazohet me dy-tre fjali të kësaj interviste.

Por, unë kam përshtypjen se si i gjithë futbolli shqiptar që lëngon nga mungesa e vizionit dhe strategjive të zhvillimit, edhe akademitë sportive përjetojnë një krizë të thellë identiteti menaxherial e profesional. Duhet theksuar fakti që sot puna e programuar, si nga klubet, ashtu edhe nga FSHF-së për zhvillimin e futbollit të moshave, lë shumë për të dëshiruar. Empirizmi është një sëmundje që sot ka përfshirë pothuajse shumicën e trajnuesve që merren me fëmijët. Mungesa e një programimi mbi baza shkencore, si dhe paaftësia e klubeve për të menaxhuar si duhet produktin sportiv që vjen nga ekipet e sistemeve zinxhir, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të dëmtojnë perspektivat e futbollit kombëtar”, vijon ai.

E ARDHMJA E AKADEMIVE

Sipas trajnerit të Armando Sadikut, nuk ka nevojë për asnjë inovacion për të ardhmen. “Shumë e thjeshtë, të ndjekim rrugën e klubeve europiane, jo vetëm ato të elitës, por edhe nivelet e dyta e të treta. Asgjë nuk ka mbetur ta shpikë mendja e një shoqërie që ende lëngon në traumat sociale që vazhdon të kalojë shoqëria shqiptare.

Ndaj, organizmat kombëtar të futbollit dhe institucionet shtetërore që e kanë detyrim ligjor edukimin sportiv, duhet të angazhohen më tepër në hartimin e një strategjie kombëtare për zhvillimin e futbollit të moshave, duke përcaktuar standarde të punës dhe afate kohore të matshme për perspektivat afatmesme e afatgjata, si në fushën e zhvillimit infrastrukturor e financiar, por mbi të gjitha edhe në atë programor profesional. Përvojat nuk mungojnë. Mungojnë dëshirat për hartimin e këtyre politikave”, ka deklaruar Bashaliu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"