Trajneri i Odise Roshit: Vetëm mbledhës lojtarësh, akademive u mungon ‘A’-ja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2019 | 22:26

Trajneri i Odise Roshit: Vetëm mbledhës lojtarësh, akademive u mungon ‘A’-ja

Odise Roshi ka kaluar disa skuadra në vogëlinë e tij para se të katapultohej në futbollin europian. Aktualisht, edhe sot e kësaj dite, mesfushori është një nga elementet që bën diferencën në Kombëtare. Roland Mehmeti, një nga ish-trajnerët e fierakut, flet për cilësitë e “Odit” dhe analizon situatën e akademive në futbollin shqiptar.

odise roshi

Formimi i Roshit – Mehmeti e përshkruan “Odin” me fjalët më pozitive. “Roshi ka nisur që në grupmoshën U-10 me mua dhe e kam stërvitur bashkë me një kolegun tim, Zhdranovin. Odi (Odise Roshi) dallonte që në atë periudhë edhe në cilësi teknike, por edhe sa i përket pjesës mentale. Ishte nga ata sportistë, që të vinte në një pozitë të vështirë dhe të detyronte që të punoje tamam me të dhe shokët e tij.

Nga aty, kaloi më tej tek Eqerem Memushi. Kam qenë edhe pjesë e Albpetrolit në Kupat e Europës, por edhe pjesë e ekipeve të moshave në Kombëtare, ama Roshi dallohej për cilësitë teknike të shkëlqyera që në atë periudhë, edhe pse veçoritë e një lojtari i sheh më shumë pas moshës 13 apo 14- vjeçare”, tregon fillimisht Mehmeti, referuar së shkuarës të mesfushorit kuqezi.

CILËSIA E AKADEMIVE – Momentalisht, shihen pak lojtarë që të mbajnë vulën e kampionatit shqiptar. Referuar kësaj pjese, Mehmeti ndalet te mënyra e formimit që bëjnë akademitë. “Problemi nis që me ata, të cilët marrin përsipër për t’i edukuar fëmijët. Kam respekt për të gjithë kolegët, por një pjesë e mirë e trajnerëve të moshave kanë hyrë aksidentalisht në këtë rrugë. Ka shumë elementë të mirë që humbasin me këto lloj trajnerësh.

Kurset e UEFA-s edhe pse kanë formë shumë të mirë organizimi, sipas meje, nuk duhet të mjaftojnë për një trajner. Të mos e quajnë veten të përgatitur vetëm se marrin licencën, pasi nevojitet edhe punë dhe praktikë personale. Një trajner duhet të ketë përgatitje ekstra përveç kursit. Ose, të paktën, talentet më të mirë të çdo qyteti, që në mosha të vogla të përthithen nga klubet profesioniste në ekipet zinxhirë, ndërsa pjesa tjetër e mbetur le të jenë kontingjent i këtyre trajnerëve”, vijon më tej Mehmeti.

PROBLEMATIKA – Sipas tij, ka një problem në organizimin e akademive, që ndikon shumë në formimin e futbollistëve të rinj.

“Ne nuk jemi një shtet i madh, ndaj duhet një strategji. Sipas meje, akademitë private apo trajnerët privatë, mirë që ekzistojnë, por pjesa elitare e fëmijëve të luajnë me akademitë elitare, të klubeve me identitet. Vetëm, kështu, plotësohen ekipet e para apo edhe kombëtaret me elementet më cilësorë.

Unë jam skeptik për cilësinë e akademive në Shqipëri. Sipas meje, nuk mund të quhet akademi çdo organizim, nëse nuk e ka strategjinë që duhet të ketë një e tillë, nëse nuk funksionon e gjithë piramida: Drejtori i akademisë, departamentet (i shëndetësisë, i metodologjisë pastaj sektori teknik). Këto, jo vetëm që nuk quhen akademi, por edhe shumë klube, janë kthyer në mbledhës fëmijësh”, ka deklaruar për “Panorama Sport” Roland Mehmeti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"