“Trajneri i Lushnjës rrjep lekët e vajzave”, Kule i përgjigjet Korreshit: Matrapaz, është teknik partie dhe turpi i futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2021 | 21:21

“Trajneri i Lushnjës rrjep lekët e vajzave”, Kule i përgjigjet Korreshit: Matrapaz, është teknik partie dhe turpi i futbollit

Derbi i Myzeqesë në futbollin e femrave mes Lushnjës dhe Apolonisë i zhvilluar të shtunën më 30 janar ka prodhuar një precedent i pangjarë më parë në futbollin e kësaj gjinie: 4 kartonë të kuq dhe përfundimi i ndeshjes nga gjyqtarja Disela Lekgegaj, për shkak se skuadra lushnjare mbeti me 6 lojtare në fushë, pasi pati edhe një dëmtim.

unnamed (3)

Pas deklaratave të trajnerit të Lushnjës Hekuran Korreshi, i cili akuzonte homologun e tij Mariglen Kule për përdorim fjalori rruge në drejtim të vajzave lushnjare, por edhe ndaj atyre fierake, ka ardhur edhe reagimi i trajnerit të Apolonisë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Kule komenton përplasjet në derbi:

“Është një absurditet që kundërshtari ta kërkojë të keqen te ne, aq më tepër të përpiqet për të baltosur figurën time. Së pari, nuk është e nevojshme të përmend diferencën e madhe cilësore që ka skuadra jonë ndaj Lushnjës, pasi është e njohur. Lushnja është një skuadër e krijuar rishtazi, pa mbushur as 1 vit ende, me vajza që e kanë pasion futbollin, ndërsa Apolonia është prej vitesh forca e dytë tradicionale e këtij kampionati dhe vetëm Vllaznia dominon mbi ne”, shprehet Kule. Duke i kërkuar një kronologji të asaj që ndodhi në Lushnjë, trajneri Kule jep variantin e tij:

“Trajneri i Lushnjës i ka kërkuar në fillim të ndeshjes zëvendëstrajneres sonë që ta mëshironim skuadrën e tij, të mos i shënonim shumë gola, gjë që unë e mora vesh pas ndeshjes, – vijon Kule. – Ndeshja ka qenë e vështirë për ne, në kuptimin e organizimit total, pa fëmijë pas porte për të rikthyer topat në fushë dhe ishin lojtaret tona që e bënin diçka të tillë. Ankohet Lushnja ndaj nesh?! Jemi ne shkaktarët për 4 kartonë të kuq që morën ata?! Ky është humor tipik i atij që drejton ekipin e femrave të Lushnjës!”.

Më tej, trajneri i femrave të Apolonisë, flet për akuzat e trajnerit Hekuran Korreshi: “Unë nuk jam polemizues, por nuk mund të hesht ndaj akuzave të pseudotrajnerëve si ky tipi, që u rrjep vajzave të Lushnjës edhe lekët që FSHF-ja jep për to! Se cili është Hekuran Korreshi, e dinë mirë lushnjarët dhe më gjerë: një matrapaz që nuk ka as më të voglën lidhje me trajningun! Mua më vjen keq, sepse kam respekt për futbollin lushnjar dhe emrat që kanë trajnuar sportin e këtij qyteti, që nga mjeshtri Xhavit Sefa, Artan Bano, Ilir Gjyla, Bardhyl Elezi etj. Por Hekuran Korreshi është një trajner ‘partie’ dhe mua më vjen keq që një njeri i tillë çedukon dhe jo edukon ato vajza që kanë pasion futbollin. Unë me fjalor rruge dhe nervoz?!

Mariglen Kule 2

Përballë Lushnjës, skuadër modeste në kompeticionin tonë?! Nëse do isha i tillë, do e kisha shfaqur ndaj skuadrave rivale me ne, jo ndaj një ekipi që vetëm 3 pikë ka në renditje. Sa për atë të ashtuquajturin ‘trajner’ të Lushnjës, se as emrin nuk dua t’ia përmend, ai e di mirë që e ka lënë futbollin në moshën 26 vjeç dhe që në një sezon, në vetëm 22 ndeshje ka marrë 13 kartonë të verdhë. Ju them me bindje që ka qenë një skenar i mirë menduar nga një njeri që është turpi i futbollit lushnjar, që duke u përpjekur të hedh baltë mbi ne, në fakt po baltos futbollin e një qyteti të nderuar, si Lushnja.

Ai e di mirë sa dënime ka marrë si futbollist për sjellje antisportive dhe goditje të kundërshtarit, e di mirë dhe që as trajner nuk është me atë sjellje që bën, teksa godet me shkelma lojtaret, siç u pa nga të gjithë në ndeshjen kundër nesh. Po e mbyll me një pyetje publike për Korreshin: A i marrin vajzat e futbollit të Lushnjës lekët e akorduara për to apo përfundojnë në xhepat e trajnerit?”, përfundoi prononcimin e tij trajneri i Apolonisë, Mariglen Kule.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Futboll femra/ Sherri në derbin e Myzeqesë, Korreshi: Kule, me fjalor rruge. Ofendoi vajzat…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"