Trajneri i Luftëtarit beson te kthesa kundër Devollit: Me Flamurtarin na penalizoi fusha, lutemi të mos bjerë shi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2021 | 9:58

Trajneri i Luftëtarit beson te kthesa kundër Devollit: Me Flamurtarin na penalizoi fusha, lutemi të mos bjerë shi…

Në Gjirokastër janë të zhgënjyer për mënyrën se si kanë shkuar gjërat në këto nëntë javë kampionat në grupin B të Kategorisë së Dytë. Me 12 pikë dhe të pozicionuar në vendin e gjashtë, te AF Luftëtari mendojnë se me lojën që kanë zhvilluar, tashmë duhet të kishin edhe të paktën 5-6 pikë më tepër, për të qenë afër Flamurtarit kryesues.

Luftetari Permeti

Gjithsesi, drejtuesit bluzi besojnë shumë se situata do të ndryshojë për mirë. Klubi gjirokastrit është bazuar te një grup lojtarësh 90% vendës, të cilët morën përsipër të përfaqësonin skuadrën e zemrës edhe në Kategorinë e Tretë, pak muaj pas shkrirjes së KF Luftëtarit.

Pas humbjes minimale ndaj Flamurtarit në Gjirokastër, ku u luajt në një fushë të mbushur me ujë, të dielën në 13:30 bluzinjtë luajnë sërish në shtëpi, këtë herë kundër Devollit, që aktualisht mban vendin e dytë.

PETRAQ MEÇI

“Asnjë rezultat tjetër nuk na hyn në punë, veç fitores përballë Devollit”. Kështu e nis prononcimin e tij për “Panorama Sport” trajneri i AF Luftëtarit, Petraq Meçi. Pas një karriere të suksesshme nën drejtimin e grupmoshave të klubit gjirokastrit, 36-vjeçari mori përsipër këtë sezon të drejtojë ekipin e parë, nën “bekimin” e të ndjerit Mustafa Hysi.

“Kemi punuar me seriozitet për këtë takim dhe e rëndësishme është që grupin e futbollistëve do ta kem të plotë. I përgëzoj lojtarët për punën e bërë gjatë këtyre ditëve, të cilat kanë qenë jo pak të vështira sa i përket motit, që është shoqëruar me reshje të dendura shiu.

Skuadra ime luan një futboll me topin poshtë dhe është shumë e rëndësishme që fusha të jetë në gjendje optimale. Përballë Devollit duhet të vëmë zemrën në fushë, pasi jam i bindur që do të fitojmë. Futbollistët janë të motivuar për të kërkuar tri pikët e plota pas asaj humbjeje të pamerituar ndaj Flamurtarit.

Luajmë në shtëpi dhe kjo na favorizon, por mbetemi me shpresë që të dielën të jetë një mot më i mirë dhe jo si në ndeshjen ndaj vlonjatëve. Kemi edhe një ditë kohë për të piketuar 11-shin që do të hedhim në fushë. Përtej gjithçkaje, fitorja do të thotë më shumë besim, më shumë siguri për të synuar ngjitjen në klasifikim”, përfundoi trajneri Meçi.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"