Trajneri i Laçit i sinqertë: Triumf me gjak, ja si e studiova Anorthosin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2018 | 16:20

Trajneri i Laçit i sinqertë: Triumf me gjak, ja si e studiova Anorthosin

I ardhur nga Kroacia, Besnik Prenga ka sjellë edhe filozofinë dhe fatin e fituesit te Laçi, pas triumfit përballë Anorthosis, numri një i pankinës së kurbinasve, për “Panorama Sport”, ka treguar sekretin e fitores, punën që ka bërë me lojtarët si dhe raportin që ka me presidentin Laska. Kundërshtari? Prenga kërkon të shijojë fitoren e arritur dhe do të ketë kohë për gjithçka.

Prenga

KUALIFIKIMI

“Të them të drejtën është një sukses shumë i madh. Që nga dita e shortit, e kemi ëndërruar kualifikimin. Në momentin kur mësuam emrin e kundërshtarit, kërkuam dhe pamë disa mundësi se si mund të ecnim përpara. Kemi punuar shumë për rreth 40 ditë dhe mbi të gjitha me një dëshirë shumë të madhe. Ndoshta, ne kemi pasur eksodin më të madh të futbollistëve, dhe për këtë nuk shkuam as në fazë përgatitore jashtë vendit, por qëndruam në shtëpi për të krijuar grupin. Me sakrificën dhe çfarë treguam në fushën e lojës, me taktikat dhe me gjakun që treguam në fushë, mendoj se ka qenë një kualifikim i merituar”

SEKRETI

“Mund të them vetëm që e kishim studiuar shumë mirë kundërshtarin. E dinim se sa rival i fortë ishte”.

ANORTHOSIS

“Edhe në rast se do të kishin kaluara ata, nuk mund të them se do të ishte e pamerituar”.

FESTA

“Jam shumë i kënaqur për këtë kualifikim, pasi presidenti, lojtarët dhe tifozëria e këtij qyteti e meritonte. Ju kisha thënë edhe para ndeshjes që kisha shumë besim te djemtë. Është diçka e madhe për presidentin, klubin, lojtarët dhe të gjithë qytetin që të kalojë një tur tjetër në Europë. Vlera nuk është vetëm momentale, por edhe për të ardhmen, pasi e bën skuadrën që të ketë më tepër besim në vetvete dhe se çfarë mund të arrijë. Personalisht, doja që të mos e zhgënjeja presidentin Laska, pasi erdha për ta ndihmuar dhe më vjen mirë që u arrit ky kualifikim”.

GOLAT

“Nëse luanim si në Qipro, atëherë mundësitë do t’i krijonim. Jam shumë i lumtur për këtë kualifikim, pasi e arritëm ndaj një kundërshtari mjaft të fortë si Anorthosis, me emra me peshë. Më bëhet qejfi që sot me mbështetjen e publikut kurbinas, e çuam ndeshjen aty ku ne dëshironim. I falënderoj të gjithë djemtë, tifozët dhe gjithkënd që na mbështeti”.

MOLDE

“Nuk dua që të mendoj fare për kundërshtarin tjetër. Sot (dje) është dita për të festuar me lojtarët e mi dhe me presidentin që e kam mik prej shumë kohës. E theksoj që erdha ta ndihmoj dhe më vjen mirë që në këto 40 ditë kemi kaluar shumë mirë. Uroj shumë që Laçi të ecë përpara”, ka deklaruar trajneri Besnik Prenga për “Panorama Sport”.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"