Trajneri i Korabit llogari për kreun: Ia dalim kundër Burrelit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2022 | 11:19

Trajneri i Korabit llogari për kreun: Ia dalim kundër Burrelit!

Pas një pushimi 27-ditor, Korabi të dielën rikthehet në fushë. Gara për ta nis në transfertë me Burrelin dhe synimi është i qartë: fitorja. Përballja parashikohet të jetë e vështirë, për vetë historikun që mbart derbi i këtij qarku. Shpend Kumbarçe është optimist para këtij 90-minutëshi, ndërsa i mëshon edhe një herë misionit madhor. Për “Panorama Sport” trajneri thotë:

Kumbarce

“E kemi vlerësuar në maksimum ndeshjen. Ndalesa na ka ndihmuar të rikuperojmë disa mangësi që kishim, ndërkohë që sinjale të mira mora edhe nga miqësorja me Kastriotin.

Tani jemi të gjithë të përqendruar te Burreli, që nuk duhet nënvlerësuar. Ashtu si ndaj çdo kundërshtari, të dielën futemi në fushë për tri pikët.

Objektivat i kemi madhorë dhe shpresojmë ngjitjen në Superiore. Ekipi do të jetë i plotë me një mungesë të vetme, atë të sulmuesit Beshiraj.

Ai është në fazë rikuperimi, ndërkohë që pjesa tjetër gëzon një formë të mirë tekniko-fizike. Kam besim të plotë se ndaj matjanëve do t’ia dalim”.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"