Trajneri i kombëtares shqiptare firmos me një skuadër greke

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2016 | 11:08

Trajneri i kombëtares shqiptare firmos me një skuadër greke

Pas një sezoni fantastik me ekipin e basketbollit të Sigal Prishtinës në kampionatin e Kosovës, trajneri qipriot Antonis Konstantinides ka nisur një aventurë të re për sezonin e ardhshëm. Konstantinides, i emëruar prej kohësh edhe në krye të stolit të përfaqësueses shqiptare për të rritur, ka arritur akordin me klubin grek “Rethymno Cretan Kings”.

Antonis Konstantinides

“Njeriu, i cili përfaqëson basketbollin qipriot jashtë vendit në mënyrën më të mirë të mundshme, hap një kapitull të ri në karrierën e tij, duke marrë përsipër të drejtojë një ekipi grek në A1, Rethymno Cretan Kings! Tonis Konstantinides ka nënshkruar kontratën e tij të re dhe do të jetë trajneri i parë që vjen nga Qipro për të drejtuar në një nga ligat më të mira në Europë, atë greke në A1! Urime trajner!”, thuhej në deklaratën e prezantimit.

Nga ana e tij, trajneri Konstantinides e cilësoi këtë marrëveshje të rëndësishme për të. “Kjo është një ngjarje e madhe në karrierën time. Puna e madhe dhe besimi në forcat e mia është doktrina që më çoi në këtë pikë dhe kjo do të vazhdojë. Do t’i falënderoj të gjithë për gjithçka bënë. Unë do të përpiqem me punën time për të nxjerrë në pah vlerën e basketbollit qipriot, madje edhe në nivel individual”, përfundoi Konstantinides.

konstantinidis-rethymno-600x300

Por ndërsa për të është një katapultim me meritë në karrierën profesioniste, distancimi edhe më tej nga Shqipëria mund të ndikojë jo për mirë për kombëtaren shqiptare për më tepër që jemi edhe në prag të eliminatoreve të kampionatit europian. Kjo largësi e penalizon për të qenë më në kontakt me kandidatët për ekipin kombëtar apo për të ndjekur më shpesh ndeshje të kampionatit shqiptar.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Konstantinides kishte favorin ta vizitonte më shpesh Shqipërinë për t’u njohur më nga afër me nivelin e basketbollit në vend. Mësohet se Konstantinides u largua nga Prishtina për një aventurë tjetër me qëllim që të jetë sa më afër familjes.

konstandinidis

Europiani, kuqezinjtë debutojnë kundër Gjeorgjisë

Kombëtarja shqiptare në basketboll për meshkuj do të nisë kualifikueset e kampionatit europian për të rritur në datën 31 gusht nga transferta e Gjeorgjisë. Shqipëria e drejtuar nga trajneri qipriot Antonis Konstantinides dhe ndihmësi i tij Afrim Bilali është në grupin me Gjeorgjinë, Malin e Zi dhe Republikën e Sllovakisë. Risi e kualifikueseve të “Euro 2017” është edhe pjesëmarrja e Kosovës me një skuadër të rritur në një event kaq të rëndësishëm ndërkombëtar. Kosova është në grupin E së bashku me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë. Takimin e parë do ta luajë më 31 gusht jashtë fushe me Slloveninë.

OLGERT SERANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"