Trajneri i Kombëtares, Bilali: Kundër Qipros për fitore, mbyllja e çoi basketbollin pas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 20:36

Trajneri i Kombëtares, Bilali: Kundër Qipros për fitore, mbyllja e çoi basketbollin pas

Kombëtarja shqip tare e basketbollit për meshkuj do të mbyllë fazën paraelimintatore të vlefshme për Botërorin e 2023-it, teksa nesër dhe më 20 shkurt do të sfidojë respektivisht Qipron dhe Bjellorusinë, sfida që do të luhen me fazë në grumbullim në Nikosia. Në prag të këtyre përballjeve, trajneri Afrim Bilali tregon për “Panorama Sport” situatën në kampin kuqezi si dhe pritshëmëritë për këto sfida. Bilali gjithashtu rikthehet të komentojë edhe hapjen e aktiviteteve të basketbollit në vend.

afrim bilali

Si e keni parë skuadrën gjatë këtyre ditëve të grumbullimit?

Gjatë kësaj periudhe grumbullimi, realisht kemi pasur disa probleme për sa u përket dëmtimeve. Shumë lojtarë vinin nga një kohë e gjatë pa ndeshje dhe kanë shfaqur disa lëndime, por tashmë janë drejt rikuperimit dhe në ndeshjen me Qipron besoj që do të jenë plotësisht të gatshëm. Në grumbullim kemi tentuar të heqim disi ‘ndryshkun’ e lojtarëve, në mënyrë që në lojë le të themi të jemi të gjithë të ‘lubrifikuar’ si skuadër.

Cila është gjendja e ekipit në prag të këtyre dy ndeshjeve dhe çfarë do të synoni në këto sfida?

Siç e thashë edhe më lart, tashmë të gjithë lojtarët janë të grumbulluar këtu në Qipro, teksa me grupin janë bashkuar edhe Rei Pullazi, Celis Taflaj dhe Ferdi Bedini. Tani panorama e grupit është e plotë. Do të stërvitemi edhe këto dy ditë në mënyrë që të vendosim pikat mbi ‘i’ për sa i përket anës taktike dhe si do të luajmë kundër Qipros. Në këto takime uroj që të përfaqësohemi sa më denjësisht, ndërsa qëllimi jonë kryesor është që të mundim Qipron.

Rreth një vit më parë kundër Qipros, ju morët edhe fitoren e parë me Kombëtaren, fitore e cila i mungonte përfaqësues prej vitesh. A i ka mundësitë skuadra të përsërisë një tjetër sukses ndaj qipriotëve?

Me këtë skuadër siç dihet kemi fituar një vit më parë në Shqipëri, por atëherë ishte komplet një tjetër situatë. Në këtë sfidë tashmë vijmë nga një vit ndërprerjeje, ku shumica e lojtarëve nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje, ndërsa kundërshtari jonë e ka filluar kampionatin që në muajin tetor, pra ka 4 muaj në aktivitet. Bëhet fjalë për një skuadër të barabartë në raport me ne, por sigurisht që këto janë faktorë që ndikojnë jo pak në një takim. Megjithatë, ne i kemi marrë masat për t’u përballur me Qipron denjësisht e pse jo edhe për ta fituar takimin. Uroj që të gjithë lojtarët ta ndihmojnë ekipin duke dhënë më të mirën e tyre të mundshme.

afrim bilali

Pas shumë kohësh më në fund edhe Shqipëria i hapi sallat për basketbollin. Si e kanë pritur lojtarët këtë vendim?

Mund të them që ishte një vendim shumë i vonuar, sepse kjo vonesë ka ndikuar negativisht në basketboll, jo vetëm te lojtarët, por edhe te trajnerët, presidentët dhe klubet. Realisht me këtë mbyllje që u bë, basketbolli ka shkuar mbrapa, por uroj dhe shpresoj shumë që të gjithë të gjejnë forcën dhe të japin maksimumin e tyre, në mënyrë që ky sport të shkojë në ato nivele ku ishte më parë. Realisht para ndërprerjes basketbolli ishte në nivele shumë të mira, me ekipe tepër të forta. Kishim një kampionat me 4 skuadra pretendente për titull dhe mbyllja erdhi në një moment shumë të papërshtatshëm. Tani uroj që të mos kemi më mbyllje, pavarësisht se së fundmi kemi paradoksin e radhës me pallatin e sportit në Shkodër, i cili është mbyllur dhe është vënë në funksion të vaksinimit. Më duket vërtet paradoksale dhe për të ardhur keq, pasi Vllaznia tashmë do të rikthehet të stërvitet në stadium.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"