Trajneri i Kombëtares: 7 lojtarë refuzuan ekipin përfaqësues, risia do jenë… të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2019 | 22:01

Trajneri i Kombëtares: 7 lojtarë refuzuan ekipin përfaqësues, risia do jenë… të rinjtë

Kombëtarja shqiptare e basketbollit për meshkuj prej disa ditësh ka nisur stërvitjet në kuadër të ndeshjeve paraeliminatore të vlefshme për kampionatin europian 2021.

afrim bilali

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali do përballen në muajin gusht me Bjellorusinë dhe Danimarkën, ku ekipi që do të renditet i pari do të sigurojë një vend në Grupin C eliminator, aty ku bëjnë pjesë Republika Çeke, Belgjika dhe Lituania. Aventura e Shqipërisë do të startojë më 3 gusht, me ndeshjen e parë ndaj bjellorusëve në Tiranë.

Tashmë që kjo datë po afron, gazeta “Panorama Sport” intervistoi trajnerin Afrim Bilali, i cili flet për gjendjen e skuadrës, objektivat dhe kundërshtarët. Ish-basketbollisti i mirënjohur, tashmë në rolin e teknikut, gjithashtu rrëfen se disa prej lojtarëve e kanë refuzuar ftesën që ai u ka bërë, për arsye dëmtimi apo për shkaqe personale.

Bilali, si e keni parë skuadrën në këto ditë të para të stërvitjeve?

Ekipi është në javën e dytë të stërvitjes, ku po vijojmë përgatitjet me një numër të kufizuar lojtarësh, për shkak se një pjesë e lojtarëve nuk i janë përgjigjur ftesës së Kombëtares, për arsye dëmtimi apo për arsyet e tyre personale. Gjithsesi, deri më tani kemi punuar mirë, ndonëse kemi pasur disa lëndime të lehta dhe besoj se shumë shpejt këta lojtarë do t’i bashkohen përsëri ekipit. Përgatitjet po shkojnë mirë, ku tashmë po u japim lojtarëve ngarkesën e duhur fizike për ta përballuar siç duhet këtë turne. Në fundjavë do të zhvillojmë edhe dy ndeshje miqësore me Kosovën, të cilat do të na ndihmojnë për ta kolauduar ekipin për javën tjetër ku do të kemi edhe takimin e parë ndaj Bjellorusisë.

Kush janë lojtarët, të cilët nuk i janë përgjigjur ftesës suaj?

Ndoja, Pullazi, Taflaj, Topalli, Bellis, Gazo dhe Nikoçi.

Sa i njihni kundërshtarët dhe cilët janë objektivat e Shqipërisë në këto ndeshje?

Kundërshtarët besoj se i njohim mirë, kuptohet nëse nuk do të kenë ndryshime në përbërjen e tyre. Kemi studiuar disa ndeshje të këtyre dy skuadrave, pra mund të them se e njohim mënyrën e tyre të të luajturit, aftësitë dhe të metat, por sigurisht mbetet për t’u parë se si do të reagojnë lojtarët tanë në këto sfida dhe a do t’i ndjekin udhëzimet tona deri në fund. Dua të theksoj se pjesë e Kombëtares së të rriturve janë 6 lojtarë 20- vjeçarë, të cilët kanë ardhur nga ekipet e moshave.

Çfarë risie do të sjellë Bilali në Kombëtare?

Risia që do të sjell në ekip është që do t’u besohet të rinjve si e ardhmja e këtij ekipi, lojtarë të cilët do t’i gërshetojmë me 2 apo 3 lojtarë me eksperiencë dhe do të mundohemi të marrim maksimumin prej tyre.

Kombëtaret e moshave kanë zhvilluar ndeshjet ne eventet ndërkombëtare. A i keni ndjekur dhe çfarë përshtypjesh ju kanë lënë?

Ndeshjet e Kombëtares U20 i kam ndjekur me shumë interes, pasi nga ky ekip kam ftuar në skuadrën e të rriturve 4 lojtarë, por vetëm dy prej tyre i janë përgjigjur ftesës, të cilët janë Eldi Hysa dhe Odri Dedolli. Haruni për shkak të një dëmtimi nuk mundi të jetë pjesë, ndërsa Nikoçi, për arsyet e tij personale, të cilat për mua janë të paqarta, nuk më është përgjigjur. Mendoj se ekipet e moshave kanë elementë që shumë shpejt do të furnizojnë Kombëtaren e të rriturve, dhe kjo pa dyshim falë iniciativës së presidentit Avni Ponari dhe FSHB për të marrë pjesë në eventet ndërkombëtare. Kjo ka bërë që të rritet edhe ambicia e të rinjve për të qenë pjesë e Kombëtares dhe rritet edhe stërvitshmëria si dhe eksperienca. Kemi Kombëtare moshash që kanë në përbërje lojtarë me talent dhe shtatlartë, të cilët mund të luajnë edhe për ekipin e parë.

Cilat janë vështirësitë më të mëdha që ka basketbolli shqiptar aktualisht?

Vështirësitë që ka basketbolli ynë janë të shumta, por dua të theksoj infrastrukturën, e cila lë shumë për të dëshiruar. Kemi bërë një javë stërvitje në palestrën “Googa Basket”, pasi në Tiranë nuk kishim hapësira për stërvitje, pra mungojnë palestrat ku mund të zhvillohet ky sport. Gjithashtu mungojnë trajnerët e apasionuar dhe me dëshirë për t’u rritur nga ana profesionale. Një tjetër problem i madh është ana financiare. Duhet miratuar patjetër ligji për sponsorizimin.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"