Trajneri i klubit të Kategorisë së Parë me dhimbje koke, 3 titullarë në dyshim për qëndrimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2020 | 21:32

Trajneri i klubit të Kategorisë së Parë me dhimbje koke, 3 titullarë në dyshim për qëndrimin

Pas miqësores me Skënderbeun që Besa luajti të hënën, me dy pjesë nga 30 minuta, drejtuesit kavajas janë bindur plotësisht se në skuadër duhen bërë shumë lëvizje dhe se vera do të jetë vërtet e nxehtë për ta. Largimet në fakt kanë filluar me Lamçjan dhe Bërdufin, por sigurisht do të pasohen nga të tjerë, për t’u zëvendësuar më pas me elementët që duhen për realizimin e një objektivi madhor, siç është ngjitja në Superiore.

besa

TRE TITULLARË, NË DYSHIM – Tre nga lojtarët me më shumë përvojë të Besës, sulmuesi Çinoso Onuh, mbrojtësi Erion Xhafa dhe mesfushori Alfred Zefi, të tre titullarë këtë kampionat, do të bisedojnë me drejtuesit e Besës para se të mbyllen ndeshjet e këtij sezoni sa i takon të ardhmes, për të vendosur për vazhdimin ose jo me këtë skuadër. Janë tre lojtarë me përvojë, por që për momentin janë në dyshim për sezonin e ardhshëm, ndoshta ngaqë nuk janë ngjitur në atë nivel që prisnin drejtuesit e Besës. Nga këta lojtarë pritej që të ishin liderë në repartet që luajnë, por Besa në fakt ka vuajtur në çdo sektor.

BOSHT KAVAJAS – Trajneri Ndriçim Kashami dhe ndihmësi i tij, Ylli Teliti, e njohin më së miri ambientin dhe duan në skuadër futbollistë që e vlerësojnë fanellën dhe sakrifikojnë për të. Bashkë me drejtorin teknik Klodian Bajaziti, ata kanë si synim promovimin e futbollistëve të rinj, pjesa më e madhe të cilëve janë kontingjent i grupmoshave të Besës.

Besa

Lamçja dhe Bërdufi nuk bindën dhe u larguan, Onuh, Xhafa dhe Zefi janë në dyshim, ndërsa e sigurt është mbështetja te vendalinjtë. Futbollistët kavajas do të përbëjnë boshtin e skuadrës për sezonin e ri. Konkretisht, bëhet fjalë për portierin Ilir Dobjani, mbrojtësin Skerdian Perja dhe kapitenin Alked Çelhaka, por edhe disa të tjerë më të rinj në moshë.

Gjashtë takimet e mbetura të këtij kampionati, që rinisin këtë fundjavë me sfidën me Pogradecin, Besa i ka vlerësuar seriozisht. Edhe pse nuk kanë asnjë pretendim për arsye të diferencës së madhe të pikëve me treshen e kreut, kavajasit do të luajnë për emrin e skuadrës që përfaqësojnë, që këtë vit feston 95- vjetorin e krijimit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"