Trajneri i Kastriotit është i bindur: Nuk kemi rivalë, na mungojnë vetëm ultrasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2018 | 12:32

Trajneri i Kastriotit është i bindur: Nuk kemi rivalë, na mungojnë vetëm ultrasit

Kastrioti do të presë sot në fushën e vet Dinamon, një ndeshje që krutanët e kanë përgatitur me mjaft kujdes gjatë gjithë javës. Për trajnerin Samuel Nikaj, çdo ndeshje ka vështirësitë e saj, por skuadra është përgatitur për të marrë tri pikët e radhës.

Nika

Keni eliminuar një ndeshje dhe keni ruajtur të njëjtën distancë me vendin e dytë, a do të vazhdoni me të njëjtat ritme?

Patëm një ndeshje në Lezhë që ka koeficient të lartë vështirësie. Besoj bëmë paraqitje të mirë dhe e mposhtëm në çdo drejtim kundërshtarin, por fati nuk ishte me ne. Kështu e ka futbolli, nuk fiton gjithmonë më i miri. Besëlidhjes besoj i dhamë goditjen e fundit për ëndrrën Superiore.

Duket paksa e çuditshme kur skuadra që janë shumë pikë larg jush, shpresojnë ende! A do të diskutohet ngjitja?

Kundërshtarët le të ëndërrojnë dhe më vjen mirë, sepse dhe ne nuk na lënë të flejmë mbi dafina, por na mbajnë zgjuar në realizimin e objektivit.

Përballeni me Dinamon, ka shans që të gaboni?

Përballë Dinamos është e vështirë po aq sa ndaj cilitdo kundërshtar të grupit tonë. Ndaj Dinamos, në dy përballjet e mëparshme kemi pasur vështirësi, pasi është një ekip që mbrohet shumë mirë. Megjithatë, besoj që këtë radhë kemi për t’ia dalë të marrim 3 pikët nga kjo sfidë.

Kastrioti-Dinamo

Tashmë është Erzeni në vendin e dytë dhe ju përballeni javën e ardhshme në Krujë me të.  A i frikësoheni këtij rivali?

Edhe kur Erzeni ishte në vështirësi, gjithmonë i jam druajtur këtij ekipi që ka një grintë për t’u admiruar. Ka lojtarë të eksperiencës, por besoj më shumë në forcën e ekipit tim.

Edhe pse gjithmonë keni bërë thirrje për mbështetje, tifozëria sërish nuk është e pranishme në stadium. Cila është arsyeja?

Besoj se spektatori është faktor i rëndësishëm. Nga ndeshja në ndeshje, shoh një tendencë në rritje të spektatorëve, por ajo që më vjen keq është arsyeja që nuk po organizohen “Ultrasit e Kastriotit”, sepse ata dinë të bëjnë atmosferë më shumë, gjithmonë në mënyrë të organizuar dhe brenda normave.

LIRIDON PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"