“Trajneri i flet shumë lojtarëve të rinj”, mesfushori i Bylisit: Dua të ndihmoj skuadrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 23:48

“Trajneri i flet shumë lojtarëve të rinj”, mesfushori i Bylisit: Dua të ndihmoj skuadrën

Serxhio Ujka është një nga lojtarët që ka ardhur në rritje me performancat që ka bërë me fanellën e Bylisit. Ai mbylli sezonin e tij të dytë me Bylisin dhe tashmë është afirmuar plotësisht edhe në Superiore, duke fituar një vend titullari. “Realisht që jam rritur shumë me aktivizimet në Superiore. Trajneri na flet shumë, sidomos ne lojtarëve të rinj. Ndihem i vlerësuar te Bylisi në këto dy sezone, por sidomos me aktivizimin në elitë, unë kam marrë më shumë eksperiencë”, tha fillimisht 21-vjeçari për “Panorama Sport”.

Ujka

Ujka erdhi te Bylisi pas aktivizimeve me Laçin dhe Shënkollin. Por mesfushori i qendrës, në lidhje me sezonin e ardhshëm, ka të tjera pritshmëri. “Në këtë sezon skuadra shkoi afër finales së Kupës. Në pjesën e parë të kampionatit kemi qenë në zonën europiane, e madje e mbyllëm vetëm një pikë larg vendit të parë në dhjetor. Por besoj se skuadra e ka grupin dhe me këtë kontigjent që kemi kam bindjen se do të ngjitemi akoma më lart. Personalisht dua që të luaj sa më shumë dhe të ndihmoj skuadrën në realizimin e synimeve sezonale”, përfundoi mesfushori.

AXHENDA – Bylisi do të zbresë në fushë më 10 gusht. Skuadra mallakastriote ka vendosur që të startojë përgatitjet të hënën e javës së ardhshme, edhe pse vjen pas një sezoni të gjatë ku ka qenë e angazhuar në të dyja kompeticionet. Drejtuesit kanë menduar që ekipi të mos i zgjasë më tepër pushimet, dhe kësisoj, të rinisin përgatitjet nga Ballshi, e më pas për të parë ndonjë variant tjetër.

ERJON SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"