Trajneri i Elbasanit realist: Meritojmë vendin e fundit, por ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2019 | 18:12

Trajneri i Elbasanit realist: Meritojmë vendin e fundit, por ia dalim

Shumë trajnerë nuk do të donin të ishin në vendin e tij, por Shkëlqim Lleshanaku nuk iu frikësua sfidës për të udhëhequr verdheblutë në të Parën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai flet për situatën aktuale, duke qenë realist në çdo gjë. Ai përmend shprehjen “trimi i mirë, me shokë shumë”, duke lënë të kuptohet se kërkon më shumë mbështetje.

lleshanaku

Nga emërimi deri në mbyllje të vitit, si jeni ndierë në stolin e Elbasanit?

Emërimi si trajner i Elbasanit më erdhi papritur. Çdokush që punon si trajner, kërkon të arrijë këtu ku jam. Ishte përgjegjësi e madhe. Shumë persona më thanë të mos e pranoja për arsyet që dihen tashmë, por nuk u mendova dy herë. Kur punon për qytetin tënd, edhe ajo që mund t’u duket të gjithëve e pamundur, bëhet e mundur.

Çfarë nuk funksionoi, e keni merituar vendin e fundit?

Mendoj se ndikoi mungesa e eksperiencës dypalëshe. Unë dhe lojtarët nuk ishim në lartësinë e emrit të klubit. Derisa jemi në vend të fundit, do të thotë që e meritojmë. Kemi bërë lojëra të mira, ku kemi humbur për episode dhe gabime individuale, por futbolli i ka këto.

Elbasani

E keni menduar ndonjëherë dorëheqjen?

Jo, realisht jo. Kisha dhe kam besimin se gjendja mund të ndryshojë. Duhet shumë punë dhe vullnet trepalësh, trajner-lojtarë-president.

Keni ndonjë plan për të rimëkëmbur skuadrën, cila është sfida juaj?

Këto ditë do takohem me presidentin dhe do të bisedojmë për periudhën pas janarit. Deri atëherë po shijoj pushimet me familjen, pasi e kam lënë pas dore këto 5 muaj. Sfida ime është të shpëtoj ekipin që drejtoj. Me ndihmësin Marsid Dushkun kam besim se do t’ia dalim ta mbajmë ekipin në kategori. Mbijetesa është shumë e vështirë. Javë pas jave do bëhet dhe më e fortë lufta dhe nuk ia dal dot i vetëm. Nuk kam frikë të punoj, por “trimi i mirë, me shokë shumë”.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"