Trajneri i Elbasanit: Pa frikë, ne do të mbijetojmë në të Parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2020 | 12:28

Trajneri i Elbasanit: Pa frikë, ne do të mbijetojmë në të Parën

Elbasani rinis sot “betejën” për mbijetesën në Kategorinë e Parë, teksa do të udhëtojë në një transfertë të vështirë, siç është ajo e Fushë-Krujës. Me ekipin pritet të jetë gati edhe sulmuesi Valentin Baro, i cili i nisi përgatitjet më vonë se të tjerët, për shkak të vetëkarantinimit pas mbërritjes nga Greqia. Nga ana tjetër mungon mbrojtësi Serxho Bajrami për një dëmtim dhe nuk do të jetë i gatshëm për këtë përballje delikate. |
lleshanaku
LLESHANAKU – Në prononcimin për “Panorama Sport” para ndeshjes, trajneri Shkëlqim Lleshanaku shprehet optimist për përsëritjen e dy ndeshjeve të kaluara ndaj Ilirisë, ku verdheblutë kanë fituar, por e pranon se kësaj here do të jetë më e vështirë për të marrë maksimumin.
Labinoti-Elbasani-3
“Jemi munduar që gjatë kësaj periudhe të kapim formën e duhur fizike dhe besoj se jemi gati për ta përballuar pjesën e mbetur të kampionatit. Rifillimi na gjen në një transfertë të vështirë dhe delikate, për vetë pozitat që skuadra ka në klasifikim. Kemi fituar në dy ndeshjet e para dhe uroj shumë që ta përsërisim këtë gjë, por kësaj here është më e vështirë. Kemi hyrë në fazën ku çdo skuadër do të tentojë të marrë maksimumin, sepse ajo që gabon, rrezikon objektivat e saj. Plus që tani bëhet fjalë për sfida direkte. Megjithatë, nuk i trembemi aspak garës dhe deri në fund do të hyjmë në fushë vetëm për të fituar, që të mbijetojmë. Ia arrijmë dot ose jo, këtë do ta tregojë vetëm fusha”, u shpreh për gazetën tekniku elbasanas.

Verdheblutë mbyllin klasifikimin e Grupit B në Kategorinë e Parë me 13 pikë dhe janë skuadra që rrezikojnë më shumë rënien, ndaj fitorja në Fushë-Krujë është kthyer në një detyrim.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"