Trajneri i Elbasanit optimist: Ekipin e shoh më lart në krahasim me një vit më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2020 | 21:29

Trajneri i Elbasanit optimist: Ekipin e shoh më lart në krahasim me një vit më parë

Elbasani i ka lënë pas problemet, trajneri Lleshanaku është rikthyer të drejtojë skuadrën në kuadër të ndeshjes së parë me Egnatian. Në fakt, përpara është ndeshja me Luftëtarin në kupë, që me shumë mundësi nuk do zhvillohet sepse gjirokastritët nuk kanë ekip për momentin.

Leshanaku Elbasani

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Lleshanaku thekson se ekipi është më i bashkuar se kurrë për të realizuar objektivat e sezonit.

“Nuk kam ndonjë koment për situatën e fundit. Ishte thjesht një keqkuptim dhe kaq, u zgjidh gjithçka. Vazhdoj të drejtoj ekipin dhe jemi më të bashkuar se kurrë. Shohim përpara, jemi gati për kampionatin dhe shpresojmë që puna e bërë gjatë këtyre javëve të na shpërblehet me rezultate.

E nisim sezonin me një kundërshtar që ka bërë shumë ndryshime dhe ka synimet e tij, por do të hyjmë në fushë vetëm për fitore. Kam besim tek ekipi që drejtoj dhe e shoh më lart në krahasim me një vit më parë.

Duam ta nisim me këmbën e mbarë, ku rezultati pozitiv na shërben shumë në aspektin moral”, tha trajneri elbasanas. Ndeshja me Egnatian do luhet në Cërrik, pasi në “Elbasan Arena” është rimbjellë bari.

Vladimir Mema – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"