Trajneri i Elbasanit kërkon konfirmimin: Jam gati të vazhdoj projektin edhe në të Parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2018 | 17:17

Trajneri i Elbasanit kërkon konfirmimin: Jam gati të vazhdoj projektin edhe në të Parën

“T’i hysh detit në këmbë dhe të mos mbytesh”. Duket e pamundur të ndodhë, por Elbasani i sezonit të kaluar kaloi një sprovë të madhe, duke ia dalë që të paktën të rikthejë nderin e vet në vend, të rikthehet në Kategorinë e Parë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i skuadrës së Elbasanit, Eriol Merxha, shprehet se sakrifica e djemve bëri që skuadra të arrijë objektivin, duke mos koleksionuar asnjë humbje. Sipas tij, e pakta që meritojnë ata djem është mirënjohja nga të gjithë.

Merxha2

“Kaluam një vit të vështirë financiar, por të paktën fituam një grup të mirë që besoj se do mbajë barrën edhe në Kategorinë e Parë. Mendoj se me rezultatet e arritura duhet të krenohemi, sepse nuk u mundëm asnjëherë përgjatë gjithë sezonit. Djemtë e ekipit meritojnë të paktën një mirënjohje nga të gjithë, sepse e ngjitën ekipin mes një mijë e një halleve dhe sakrifikuan gjatë gjithë vitit. Dhe ju siguroj që kishim përballë ekipe të forta dhe të paguara mirë. Megjithatë, në fund puna dhe sakrifica jonë u shpërblye”, u shpreh fillimisht tekniku elbasanas.

E ardhmja – Kontrata e Merxhës me klubin përfundoi automatikisht me mbarimin e sezonit, por nëse klubi do të ketë nevojë, ish-futbollisti elbasanas është i gatshëm të kontribuojë. Sipas tij nuk dihet asgjë për të ardhmen, pasi po qëndrojnë në pritje të organizimit të ri. “Personalisht nuk jam konfirmuar akoma për sezonin e ri. Unë jam tifoz me Elbasanin dhe sa herë të më kërkohet do të kontribuoj për ekipin tim dhe do jem gjithnjë disponibël. Megjithatë, së bashku me stafin tim, Endri Dalipin, Artan Skënderin dhe Elvis Kotorrin, e kryem misionin që kishim marrë përsipër.

Gjithsesi, për mua ishte një eksperiencë e re. Për sezonin që po vjen, nuk mund të flasim dot që tani, sepse jemi në pritje të organizimit të ri. Pritet që fillimisht të zgjidhet situata me krerët e klubit dhe më pas të shohim se çfarë do të bëhet”, u shpreh për gazetën Eriol Merxha.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"