Trajneri i Bylisit nuk i trembet Tiranës: Lojtarët e mi bëjnë futboll të bukur, t’i mundim bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 10:31

Trajneri i Bylisit nuk i trembet Tiranës: Lojtarët e mi bëjnë futboll të bukur, t’i mundim bardheblutë

Dy barazime në dy sfida ku skuadra ballshiote ka shpërdoruar shumë si në Laç dhe Gjirokastër. Sot në Ballsh vjen Tirana, një nga skuadrat më aktive në merkaton e verës dhe me kualitete në gjirin e saj.

veljko dovedan

Trajneri i Bylisit, Veljko Dovedan, në intervistën e dhënë para ndeshjes thotë se skuadra është e plotë. Madje, tregohet pa rezerva, duke theksuar se Bylisi sot do të guxojë për tri pikët.

Pas dy barazimeve, çfarë do të synoni sot ndaj një skuadre si Tirana?

Më të mirën duhet të bëjmë në fushë dhe dua që skuadra që nga fillimi e deri në fund të zbatojë detyrat. Kemi treguar se dimë që të fitojmë edhe në ndeshje me kundërshtarë të fortë.

Tirana nuk është as si Laçi e as si Luftëtari…

Dakord, por edhe Bylisi ka ditur të fitojë edhe të marrë pikë në Korçë apo dhe me Partizanin në Tiranë, apo dhe në fusha të vështira me ekipe shumë të mira. Nuk bëjmë dallime, sepse kur humbasim, barazojmë apo fitojmë janë pikët e njëjta.

Në sulm, Bylisi “fal” shumë dhe janë raste që mund të ndryshojnë rrjedhën e lojës…

Është e vërtetë, ne prodhojmë shumë, bëjmë volum dhe kemi lojë të rrjedhshme. Kjo më kënaq dhe besoj se është pozitive edhe për futbollin shqiptar. Në verë, unë thashë se skuadra do të konsolidohet. Unë ia di aftësitë tërë skuadrës. Kam një grup shumë të mirë dhe janë të aftë për më shumë. Në këto ditë, që kemi pasur në dispozicion kemi analizuar edhe rastet dhe besoj se me Tiranën do të jemi edhe më konkretë.

Skuadra është më e plotë. Ju gëzon ky fakt?

Ekipin e kam OK dhe kam besim se do të marrim tri pikët. Është pozitive për mua si trajner që në një ndeshje si kjo ta kem skuadrën e plotë për të kërkuar maksimumin në ndeshje.

U mësuat tri javë në krye. A do ta rimerrni sërish?

Kemi qenë në krye me meritë, por momentalisht ne duam që të fitojmë ndeshjen e radhës. Jemi vetëm në javën e fundit të fazës së parë dhe tashmë mendoj se gara është edhe më e fortë.

Ju kanë munguar tifozët këto dy javë?

Sigurisht. Kur luajmë në Ballsh, kemi mbështetje, e cila ka ardhur në rritje. U bëj thirrje të jenë të shumtë edhe sot ne do të bëjmë më të mirën. Unë jam garant për këtë.

s

DËMTIMI – Qardaku, halli i madh i Bylisit

Sulmuesi shkodran Eridon Qardaku në seancën e zhvilluar në mesditë ka ndier shqetësime në ligament. Pas Turabovit, që është në kryeqytet dhe ndjek seanca fizioterapie në një klinikë private, Guindos i cili ka bërë dje stërvitje individuale, shkodrani është një shqetësim i madh që duket se e bën me dhembje koke trajnerin Dovedan. Tashmë mbetet për t’u parë, por me shumë gjasa Barjamaj pritet të jetë titullar në sfidën ndaj Tiranës.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"