Trajneri i Besëlidhjes ndryshon mendje, e bindin 4 futbollistë serb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2021 | 16:47

Trajneri i Besëlidhjes ndryshon mendje, e bindin 4 futbollistë serb

Bruka ndryshon mendje, 4 serbë mund të qëndrojnë në Lezhë Pa ndonjë bujë të madhe dhe me një filozofi të re, Besëlidhja po hedh baza të forta për sezonin 2021-2022.

Partizani Beselidhja miqesore

Dëshmia më e mirë janë miqësoret e zhvilluara pas dy javësh fazë përgatitore. Vërtet humbën të parën me Kastriotin në shifrat 0-2, por dy barazimet e fundit kanë shtuar optimizmin. Me rezultat 1-1 përfundoi testi me Besën, por edhe ai me Partizanin e elitës. Të premten ata shtangën “demat” në stadiumin “Besëlidhja”, çka u dha ndjeshëm shpresë për vazhdimësi lezhjanëve.

Alban Bruka po punon për ndërtimin e një ekipi krejt ndryshe nga sa e kemi parë dekadën e fundit, duke u mbështetur kryesisht te shkolla vendëse. E megjithatë, rrugës situata mund të ndryshojë disi. U bënë ditë që në provë janë 6 serbë, konkretisht Zarko Iliç, Zeljko Sreçkoviç, Marko Jeremiç, Milutin Cimesa, Sreçko Milivojeviç, Nikola Zerjal. Ata i ka sjellë Milan Gjorgjeviç, që luante futboll deri vjet. Në dy miqësoret e fundit janë aktivizuar që të gjithë prej trajnerit, tre titullarë dhe tre nga stoli. Sreçkoviç madje gjeti edhe rrugën e rrjetës, ndërsa paraqitja e tre të tjerëve po vijnë në rritje. Fillimisht numri një i pankinës ishte skeptik për ta, aq sa prerazi tha: “Nuk bindin”.

Me kalimin e ditëve është lëkundur, madje në miqësoren ndaj Partizanit, për tre syresh u bind se ata vlejnë. Ka gjasa që të mbeten pjesë e Besëlidhjes, ndonëse jo të gjithë dhe kjo për vetë rregullin e të huajve. Të mërkurën është planifikuar një miqësore ndaj Tërbunit, që pritet të luhet edhe kjo në stadiumin e Lezhës. Miqësorja ndaj Tërbunit ka gjasa që të jetë edhe vendimtarja për futbollistët serbë. Burime brenda klubit Besëlidhja bëjnë me dije se nëse bindin, 4 prej tyre mund të shkojnë drejt firmës. Megjithatë, në mesjavë do të mësohet më shumë për ta.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"