Trajneri i Arsenalit e pranon: Në këtë situatë që jemi, duhet t’i kërkoj unë këshilla Gatuzos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2018 | 16:47

Trajneri i Arsenalit e pranon: Në këtë situatë që jemi, duhet t’i kërkoj unë këshilla Gatuzos

Konferenca për shtyp e Arsen Vengerit nis me një lajm të keq për tifozët e Arsenalit dhe teorikisht një lajm të mirë për ata të Milanit: “Bejerin nuk është grumbulluar, ka një problem në gjurin e majtë”. Mbrojtësi i djathtë është objekt dëshirash i shumë klubeve në Europë, përfshirë edhe Juventusin, por do të mungojë në ndeshjen e sotme në “San Siro”. Dhe nuk do të jenë veç mbrojtësit katalanas, as Obamejang dhe as Lakazet dhe Monreal. Me pak fjalë, “Topçinjtë” vijnë në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Ligës së Europës kundër italianëve me krahët e mbrojtjes zbuluar dhe me një repart fantazistësh të mbipopulluar: “Ozil dhe Mkhitarian mund të luajnë së bashku”, siguron tekniku francez i Arsenalit.

venger

Shumë cilësi, por pak ekuilibër, duke marrë parasysh se anglezët vijnë në Milano pas katër humbjeve në 5 takimet e fundit në të gjitha kompeticionet. “Skuadra po vuan pak për shkak të rezultateve të fundit. Në jetë harrohet shpejt sa i zoti je. Për të rinisur duhet të jemi të përqendruar në gjërat që dimë të bëjmë më mirë dhe të kuptojmë ato ku kemi gabuar, pa u shqetësuar për pasojat e një rezultati negativ”, shton 68-vjeçari, i cili nuk e kursen edhe një batutë kur gazetarët e pyesin se çfarë këshille ka për një trajner të ri si Xhenaro Gatuzo.

“Gatuzo? Nuk duhet t’i japë këshilla të mëdha. Ai po e bën shumë mirë punën e tij dhe ka eksperiencë të madhe. Unë nuk po e bëj mirë punën time dhe mendoj se jam unë ai që duhet t’i kërkoj këshilla”. Venger pranon se Liga e Europës është objektivi kryesor i skuadrës së tij këtë sezon, duke qenë se kualifikimi në Champions përmes Premier Ligës duket një mision i pamundur (Totenhemi i vendit të katërt është 13 pikë larg): “Përpara se të fitojmë Ligën e Europës, duhet të eliminojmë Milanin. Sipas meje do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Milani luan dhe është në formë të mirë. E dimë që ky është trofeu i vetëm që mund të fitojmë, por nëse do të tregosh se ke cilësi, atëherë duhet ta tregosh vetëm kur është më vështirë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"