Trajneri i Apolonisë optimist: Besoj shumë te grupi, kam ende dilema për formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 18:17

Trajneri i Apolonisë optimist: Besoj shumë te grupi, kam ende dilema për formacionin

Juri Kanarsa sheh rritje tek Apolonia. Edhe pse humbën në miqësoren me Egnatian, trajneri mori sinjale të mira nga grupi. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, direkt pas asaj ndeshjeje, italiani vlerësoi paraqitjen e të tijve.

apo

I provoi të gjithë lojtarët, pasi do që të ketë ide të qartë për secilin. E megjithatë, është ende konfuz për formacionin. “U përballëm me një ekip që militon në Kategorinë Superiore, ndaj na vlejti. Ne në të dyja pjesët luajtëm mirë. U dhamë hapësirë atyre që ishin në formë fillimisht, por më pas i aktivizojmë që të gjithë. Kampionati është i gjatë dhe duhen shumë mundësi zgjedhjeje.

Besoj shumë te ky grup që kam në dispozicion. Çdokush në rolin e vet e interpreton mjaft mirë lojën. Jemi një klub që do rezultate, ndaj ne do të guxojmë gjithmonë. Jam i kënaqur me të gjithë. Prova vlejti për ide më të qarta për këdo.

Stafi ynë nuk ka vendosur se kush e nis titullar e kush jo, janë të gjithë 100% të disponueshëm. Kategoria e Parë nis në fundjavë dhe aty gabimet janë të ndaluara, për të qenë sa më pranë objektivave”, tha mes të tjerash tekniku i fierakëve.

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"