Trajneri i Agollit, Bulkut, Hidit e Dedes, Ilir Muça: Të rinjtë po nxitohen, ja pse digjen fëmijët pa u formuar ende

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2019 | 21:43

Trajneri i Agollit, Bulkut, Hidit e Dedes, Ilir Muça: Të rinjtë po nxitohen, ja pse digjen fëmijët pa u formuar ende

Një jetë në krye të moshave dhe një karrierë e gjatë drejtimi në plejada të tëra që kanë dalë nga akademia e Tiranës.

ilir muca

Ilir Muça, tashmë i tërhequr nga trajningu i moshave, përveçse si trajner i klasave sportive në shkolla, për “Panorama Sport” bën krahasimin e periudhës kur në ekip kishte Ansi Agollin, Ervin Bulkun, Nevil Deden e shumë të tjerë me kohët e sotme. E duke stërvitur kaq shumë kampionë që kanë bërë histori në futbollin shqiptar apo me Kombëtaren, ndalet pak te individualitetet dhe flet më shumë për filozofinë bardheblu.

AGOLLI & CO

Muça shpjegon se çfarë ndodhte në vitet e shkuara, që rezultuan të suksesshme për prodhimtarinë e një plejade futbollistësh si Agolli që kanë dhënë kontribut të gjatë në Kombëtare dhe skuadrat shqiptare.

“Kam stërvitur shumë futbollistë. Ans Agollin, Ervin Bulkun, Nevil Deden, Alban Bushin e shumë e shumë të tjerë. Ama, ishte kohë tjetër atëherë. Këta futbollistë, por të gjithë në breza e breza, nuk e kishin mendjen për të ikur jashtë pa ‘hapur sytë mirë’, për të dalë medoemos kampionë apo për t’u shitur. Secili luftonte dhe synonte që të bëhej futbollist me Tiranën dhe kjo ishte diçka shumë e madhe”, tregon fillimisht Muça. Sipas tij, kjo gjë po e dëmton sot elementin që del nga akademitë e ekipeve shqiptare.

“Sot, sheh të rinj që e kanë mendjen për jashtë që në vegjëli. Dakord, është ekonomi tregu. Lojtarët kanë synime që të luajnë në kampionate të huaja, por ama çdo gjë kërkon kohën e vet. Një futbollist nuk mund të mendojë kurrsesi të ikë jashtë vendit, pa u formuar dhe rritur mirë, me të gjithë elementët që e formojnë dhe e bëjnë gati. Nuk mund të mendosh që kur ikën një shqiptar, do të gjejë menjëherë vend, sikur jashtë nuk ka asnjë element. Sipas meje, ky nxitim i fëmijëve, mbase edhe me ndikimin e prindërve të tyre i ka dëmtuar disi. Gjithashtu, terrenet plastike sipas meje i dëmtojnë shumë futbollistët. jo vetëm kaq, por një fushë e caktuar në atë kohë ishte e posaçme për një kategori, për shembull të rinjtë e Tiranës. Ndërsa sot, bën stërvitje me gjysmë fushe, apo do nxitosh se vjen ekipi tjetër”, vijon ish-trajneri i moshave bardheblu.

AKADEMITË

Në fjalën e tij, Muça tregon se çfarë ndodh sot me akademitë. “Gjithkush ka të drejtën që të ushtrojë profesionin që do. Ama sipas meje, është shumë e gabuar që sot në futbollin shqiptar në ekipet e moshave të ketë pafund me emrin Tirana.

Nuk mund të ketë të drejtën çdo trajner që del me një ekip fëmijësh, të mbajë atë emër. Në atë kohë, ekipet zinxhir të Tiranës bënin të mundur që periodikisht të kishte seleksionime. Elementët më të mirë përthitheshin nga skuadra më sipër.

Dhe ishte si qëllim në vetvete, që krahas rezultatit dhe përgatitjes së fëmijëve, të kishte 3 apo katër futbollistë të gatshëm për t’i kaluar në ekipin B. Përndryshe, quheshim të dështuar, edhe sikur të kishim rezultate”, deklaron për “Panorama Sport”, Ilir Muça.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"