Trajneri grek zbor Luftëtarit, Demo: Luftojmë në të dyja frontet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2019 | 13:57

Trajneri grek zbor Luftëtarit, Demo: Luftojmë në të dyja frontet

Të predispozuar për të treguar se fitorja me Flamurtarin në kuadër të javës së katërt nuk ishte e rastësishme, bluzinjtë vijojnë normalisht përgatitjet në të dyja frontet. Sot bluzinjtë do të jenë mysafirë në Cërrik, aty ku edhe do të përballen me skuadrën vendase, Turbinën. Përballje kjo e vlefshme për turin e parë të Kupës së Shqipërisë, e cila për stafin teknik është vlerësuar seriozisht.

jorgos marantas

Dyshja Marantas-Novi në seancën e pasdites së djeshme të zhvilluar në fushën sportive “Lefter Millo”, për 60 minuta është ndalur në korrigjimin e të metave dhe dobësive të shfaqura në ndeshjen e fundit. Edhe dje trajneri Marantas është parë dukshëm i vendosur për zbatim perfekt të këshillave në adresë të të tijve, teksa disa herë i është dashur të “frenojë” veprimet me top. Në ndeshjen brenda familjes, Marantas aktivizoi dy formacione mikse, me qëllim evidentimin e më të mirëve për ndeshjen e sotme. E vështirë për t’u mësuar se cili do të jetë formacioni me të cilin Luftëtari do të përballet me Turbinën. Gjithsesi, e sigurt është se do të ketë gërshetim mes përvojës dhe dëshirës së më të rinjve për marrjen e rezultatit pozitiv në ndeshjen e sotme.

Aurel Demo

ZËVENDËSKAPITENI

Aurel Demo, një nga pikat më të forta të Luftëtarit këtë edicion futbollistik, sot pritet të jetë pjesë e 11-shit antiTurbinë. Për “Panorama Sport”, zëvendëskapiteni Demo lidhur me ndeshjen e sotme dhe veçanërisht për transfertën e së dielës u shpreh: “Për ne, si lojtarë, pak rëndësi ka nëse luajmë për Kupë apo kampionat. Çdo ndeshje meriton seriozitet dhe përulësi. Turbina, edhe pse nuk është në elitën e futbollit shqiptar, në fushën e saj është ekip për t’u respektuar. Këtë gjë do të bëjmë sot si skuadër, pavarësisht se kush do të jetë në fushë. Pa dashur të nënvleftësojmë kundërshtarin, objektivi ynë është ndeshja e radhës për kampionat. Jemi në pozita të vështira në klasifikim dhe kemi nevojë për pikë. Vllaznia meriton respekt për cilësitë brenda saj, ndaj edhe përballjen me të e konsiderojmë tejet e të vështirë. Do të kemi kohën e duhur për t’u përgatitur dhe të gjithë si kolektiv do të punojmë fuqimisht për të mos dalë pa pikë nga ndeshja me Vllazninë”, përfundoi Demo.

Me uljen në stol të grekut Marantas, Demo në ndeshjen me Flamurtarin u aktivizua si mbrojtës qendre, por me ardhjen e serbit Marko Paunoviç, pozicioni i tij pritet të jetë ai i mesfushorit të djathtë. Sot në mëngjes, bluzinjtë do të udhëtojnë drejt Cërrikut, të gatshëm për të hedhur një hap të sigurt për kalimin e turit të parë të Kupës së Shqipërisë.

TOMORR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"