Trajneri Gjyla ende nuk kthehet në fushë, zv/trajneri i Lushnjes: Duhet të mos pësojmë gola që në fillim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2020 | 15:25

Trajneri Gjyla ende nuk kthehet në fushë, zv/trajneri i Lushnjes: Duhet të mos pësojmë gola që në fillim

Lushnja po u jep dorën e fundit përgatitjeve anti-Elbasan, ndeshje që do të luhet nesër në “Nexhip Trungu”. Edhe për përballjen me verdheblutë, lushnjarët kanë disa mungesa. Disa lojtarë janë ende në karantinim, ndërsa të dëmtuar vazhdojnë Ogres Xeka dhe Luis da Silva. I pari ka shqetësime në kavilje, ndërsa i dyti pret që të kryejë rezonancën. Trajneri Ilir Gjyla ende nuk ka dalë në fushë (është i infektuar me “COVID”) dhe ka shumë të ngjarë që këtë javë skuadra të drejtohet nga zv.trajneri Dritan Çuko.
Egnatia-Lushnja
Ky i fundit për gazetën “Panorama Sport” u shpreh: “Ekipi vijon të përgatitet. Është një ndeshje që e vlerësojmë. Ne nuk shikojmë ekipe të forta dhe të dobëta, pasi të gjitha janë njësoj. Po punojmë të riparojmë ato gabime që kemi shfaqur gjatë takimeve të para. Skuadra nuk duhet të pësojë në fillim. Duhet ta riparojmë këtë defekt. Kemi pësuar shpejt si me Egnatian dhe me Tomorin. Kemi mungesa të konsiderueshme, por nga të gjithë kërkohet maksimumi, që ekipi të vijojë me rezultate pozitive”, u shpreh tekniku, i cili pritet të jetë në pankinë ditën e shtunë.

Ai e ka drejtuar Lushnjën në fazën e tretë të sezonit 2017-2018, kur verdhejeshilët luanin në Kategorinë Superiore.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"