Trajneri gjerman do një tjetër fitore në Ligën e Kombeve, Lëv: S’e falim Zvicrën, Mateus kishte të drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2020 | 12:54

Trajneri gjerman do një tjetër fitore në Ligën e Kombeve, Lëv: S’e falim Zvicrën, Mateus kishte të drejtë

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, tha në konferencën për shtyp se pret vazhdimësi nga skuadra e tij. “Pancerat” do të luajnë sot në Këln ndaj Zvicrës ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve. Kujtojmë që gjermanët vijnë në këtë takim pas fitores në fundjavë ndaj Ukrainës në transfertë.

c61f0e59b57cfb373479-joachim-low

Sa e rëndësishme ishte fitorja në Ukrainë?

Aty gjetëm sërish ekuilibrin i cili na kishte munguar në takimet e fundit. Skuadra tregoi karakter dhe me pak më shumë grintë, fitorja do të kishte qenë më e thellë.

Pritet kjo grintë në ndeshjen e nesërme (sot) ndaj Zvicrës?

Pres një skuadër të përqendruar, preçize dhe me kurajë në fazën sulmuese. Në Ukrainë bëmë disa gabime të cilat nuk dua t’i shoh më. Do të jetë një ndeshje ndryshe nga ajo e Kievit. Duhet të jemi më të shpejtë kur sulmojmë dhe më të ekuilibruar kur mbrohemi. Skuadra ka në përbërje lojtarë cilësorë të cilët kanë treguar se mund të bëjnë gjëra të mëdha. Nëse fitojmë, shanset për të dalë të parët në grup rriten. Kemi mësuar nga gabimet me Turqinë ashtu si dhe ato ndaj Spanjës dhe Zvicrës.

Si është gjendja e skuadrës?

Timo Verner është rikuperuar plotësisht dhe do të jetë i gatshëm për të luajtur. Draksler ka ndier dhimbje në thembrën e Akilit, gjendja e tij do të vlerësohet edhe ditën e nesërme (sotme).

Ditët e fundit është folur shumë për mënyrën se si luani, taktikisht duket se keni mangësi. Cili është komenti juaj?

I kuptoj shumë mirë këto diskutime. Skuadra luan sipas një rregulli bazë. Për idetë tona të lojës, sistemi se si luajmë ka pak rëndësi. Ajo që na ka munguar ka qenë dinamika dhe shpejtësia. Këto janë gjëra që nuk kanë lidhje më mënyrën se si rreshtohet skuadra. Është më shumë diçka psikologjike dhe fizike. Ashtu siç e dini skuadrat vijnë nga një sezon jo shumë normal, dhe ata që vuajnë të parët janë futbollistët të cilët humbasin gradualisht edhe formën e tyre.

Kritika më e ashpër erdhi nga një ish-kapiten si Lotar Mateus, jeni dakord me atë çfarë tha ai?

Në futboll është normale që të kemi mendime të ndryshme. E shoh të drejtë faktin që ekspertët flasin hapur mendimet e tyre. Për mua nuk ka asnjë lloj problemi, nuk e shoh si mungesë respekti ndaj meje. Nëse do të kishim të gjithë mendime të njëjta do të ishte një punë shumë e mërzitshme. Kam folur me skuadrën dhe kemi prekur disa nga gjërat që janë thënë. Kemi rënë dakord për disa prej tyre duke nisur nga mënyra për të qenë më kritik për mënyrën e lojës sonë. Janë kritikat ato që na rrisin dhe na përmirësojnë. Duke nisur nga ndeshja e nesërme (sotme) do të shihen edhe ndryshimet e para. Jam shumë i bindur që skuadra reagoi, e pashë këtë edhe në ndeshjen e fundit ndaj Ukrainës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"