Trajneri do ta kuptojë përmirësimin e Totenhemit, Konte sfidon të shkuarën: Mezi po e presim Çelsin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2022 | 9:31

Trajneri do ta kuptojë përmirësimin e Totenhemit, Konte sfidon të shkuarën: Mezi po e presim Çelsin

Antonio Konte do të shohë paraqitjen e Totenhemit të tij në derbin e nesërm me Çelsin për të matur dhe kuptuar përmirësimin e skuadrës në 8 muajt e parë të këtij viti. “Spërsat” u mundën 3 herë brenda tri javëve ndaj rivalëve londinezë në janar dhe tekniku italian pranoi se ish-klubi i tij ishte më mirë në çdo aspekt. Por fundi i sezonit për skuadrën e tij ishte fantastik, ndërsa edhe këtë edicion e nisën me një fitore 4-1 ndaj Sauthemptonit.

KONTE

“Është gjithnjë një surprizë e bukur të shohësh ndryshimin e skuadrës në një kohë kaq të shkurtër”, tha Konte në konferencën për shtyp të së premtes. “Është pozitive për mua dhe jam i surprizuar për kohën e shkurtër që na është dashur për ta bërë këtë. Kur erdha te Totenhemi thashë se ne donim të shkruanim një histori të bukur për këtë klub. Mendoj se kemi nisur në rrugën e duhur.

Të dielën do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne duam ta luajmë. Unë dua ta luajmë këtë ndeshje dhe lojtarët gjithashtu, sepse ajo do të jetë e rëndësishme për të bërë vlerësimin e duhur për përmirësimin tonë. Do të jetë një duel i rëndësishëm për ne dhe pavarësisht rezultatit, fitojmë, humbasim apo barazojmë, ne duhet të dimë të bëjmë vlerësimin e duhur”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"