Trajneri dhe merkato, javë vendimtare për Luftëtarin. Gjirokastritët pritet t’i japin jetë ekipit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2020 | 20:49

Trajneri dhe merkato, javë vendimtare për Luftëtarin. Gjirokastritët pritet t’i japin jetë ekipit të ri

E ardhmja e Luftëtarit pritet të marrë jetë këtë javë. Çështja e parë që pret zgjidhje është ajo e trajnerit, ku ende nuk ka një emër konkret. Duke parë largimin e futbollistëve që mbyllën sezonin e fundit, situata te Luftëtari është një “fotokopje” e verës së shkuar. Nëse vërtet drejtuesit e Luftëtarit janë të prirë për të arritur objektivin e rikthimit në Superiore mbi bazën e një projekti 3-vjeçar, është koha të vendosin për pasardhësin e Neritan Novit.

Miqesore Luftetari-Butrinti 1-3 logo

Alternativat, sipas presidentit Halilaj, nuk mungojnë, ndaj dhe mbetet për t’u parë se cili do marrë “bekimin” e tij. Deri tani janë larguar 10 futbollistë nga Luftëtari dhe nuk përjashtohet mundësia që ky numër të rritet, sepse me “valixhe” në duar janë edhe disa të tjerë. Joan Çela dhe Aldrit Oshafi janë më larg se afër Luftëtarit. E njëjta gjë s’mund të thuhet për Franc Lalën dhe Erald Hysenin, për të cilët drejtuesit e Luftëtarit janë të vendosur t’i mbajnë në skuadër. Po ashtu, edhe Griseld Lika dhe Rimal Haxhiu janë thuajse të konfirmuar, sipas presidentit Halilaj.

“Gropat” e hapura nga largimet, duke filluar nga porta e deri në sulm, shtrojnë si detyrë të menjëhershme futjen në merkato. Premtimet edhe në këtë pjesë nuk kanë munguar, por mungojnë emrat konkretë, ashtu si për trajnerin. Gjirokastritët pritet të bëjnë 5-6 afrime, ku njëri do të jetë portier patjetër, për të vazhduar pastaj sipas reparteve.

TË RINJTË – Tre lojtarë të rinj, produkt i shkollës së Luftëtarit, janë konfirmuar si pjesë e ekipit sezonin e ri. Bastri dhe Muharrem Malaj, si dhe Renato Stroka, kanë nënshkruar me Luftëtarin kontrata afatgjata. Drejtuesit janë duke menduar për një gërshetim të elementit vendës dhe lojtarëve nga rrethet e tjera. Avernold Qyrani, Sadik Basha, Stivi Puci, Klaus Alinani e të tjerë pritet të jenë pjesë e Luftëtarit sezonin e ri.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"