Daja: Besa do lojtarë me përvojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2012 | 14:14

Daja: Besa do lojtarë me përvojë

Besa, në pamje të parë, pas tri ditësh intensive duket disi e kompletuar. Themi kështu nisur nga numri i lojtarëve, por jo sa i përket cilësisë së grupit. Mosha mesatare e kontingjentit, duke përjashtuar kapitenin Artion Poçi, është 20- 21 vjeç. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Besës, Ilir Daja, ka folur për grupin që ka në dispozicion, ndërsa shpreson që presidenti Bizhdili do të afrojë lojtarë me eksperiencë.
Keni deklaruar se ndjeni përgjegjësi dhe detyrim në drejtimin e Besës si ish-lojtar dhe trajner i saj…
Po, është e vërtetë, që ofertës së presidentit Nexhat Bizhdili iu përgjigja pozitivisht, jo vetëm se ndjej kënaqësi, por edhe detyrim moral të kontribuoj për futbollin kavajas.
Keni katër ditë që keni startuar përgatitjet, si e shihni ekipin?
Pjesën më të madhe të lojtarëve i njoh. Disa prej tyre, kur drejtoja Besën për herë të parë, i pata stërvitur si kontingjent i të rinjve me të ardhme, Krasniqin, Dukën, Çelhakën, Dedejn, Cikalleshin. Madje, këtë të fundit e kam aktivizuar unë i pari. Ndërkaq, disa të tjerë i njoh si trajner i Dinamos, por edhe pasi kam ndjekur mjaft ekipe dhe grupmoshat e kombëtares.
Grupi momentalisht është me moshë mesatare 20-21 vjeç, duke përjashtuar këtu kapitenin Poçi. Ju tremb ky fakt?
Jo. Unë nuk kam arsye të paragjykoj asnjërin prej tyre pasi, derisa kanë luajtur në ekipet e Superiores qoftë në Shqipëri apo edhe Kosovë, do të thotë se e kanë merituar. Unë në metodologjinë e punës sime lojtarët i gjykoj nga ajo çfarë japin në fushën e lojës dhe sesa u përshtaten koncepteve të mia në drejtim të ekipit.
Në merkato, tashmë ju kërkoni vetëm lojtarë me përvojë…
Jo vetëm unë, por çdo trajner do të dëshironte një grup me lojtarë me përvojë. Nga ana tjetër, çdo ekip ka gërshetimin e atyre me eksperiencë me ata të rinj. Ashtu siç e thashë edhe më lart, aktualisht Besa ka pjesën dërrmuese me futbollistë të rinj dhe unë pres që presidenti të ndërhyjë duke afruar lojtarë me përvojë. Gjithsesi, verdhezinjtë janë në ndërtim e sipër dhe vetëm pas datës 20 korrik, kur do të startojmë fazën përgatitore, grupi mund të jetë i plotë. Unë kam strategjinë dhe konceptet e mia për lojë, ndaj lojtarët që do të jenë në gjendje t’i zbatojnë ato, do të luajnë. Prandaj mendoj se duhen edhe disa titullarë të përbëjnë boshtin e zbatimit të koncepteve të mia.
Keni ndonjë objektiv si kusht nga presidenti Bizhdili?
Në çdo skuadër objektivat kushtëzohen nga kontingjenti që ke në dispozicion. Në këto momente që flasim me këtë grup kaq të ri, nuk mund të deklaroj asgjë, sepse nuk do të isha me “këmbë në tokë”. Vetëm pas plotësimit të grupit dhe mbarimit të fazës përgatitore, atëherë mund të kem një ide se deri ku mund të shkojmë me këtë Besë.

Zhdrella&Rexha, pritet firma
Zhdrella dhe Rexha, dy lojtarët kosovarë nga sa mësohet, pritet të mbërrijnë në Kavajë për të mbyllur formalitet e kontratës. Ata kanë rënë parimisht dakord me presidentin e Besës, Nexhat Bizhdili dhe pritet vetëm firma e tyre Në lidhje me këtë, numri një i pankinës së Besës, Ilir Daja, tha: “Kam dëgjuar fjalë të mira për secilin prej tyre, por siç e thashë edhe më lart preferoj lojtarët që u përgjigjen koncepteve të mia të lojës. Do t’i shoh në fushë dhe uroj vërtet të na vlejnë për sezonin e ri futbollistik. Sikundër thashë edhe më sipër, ekipi ka nevojë për futbollistë me përvojë”, ka përfunduar Daja.
FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"