Trajneri beratas flet pa “dorashka”, mesazh kundërshtarëve të Kategorisë së Parë: Po ndërtojmë një Tomor elite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2022 | 18:09

Trajneri beratas flet pa “dorashka”, mesazh kundërshtarëve të Kategorisë së Parë: Po ndërtojmë një Tomor elite

Trajneri Klodian Arbëri, në përfundim të javës së pestë të fazës përgatitore me skuadrën, për “Panorama Sport” bën skanerin e punës së zhvilluar deri tani te beratasit. Krahas vlerësimeve maksimale, ishgoleadori i njohur ka bërë publike qëndrimet e tij në lidhje me punën e deritanishme, si dhe flet pa “dorashka” në lidhje me objektivat e Tomorit. Ai tregon gjithçka sa i përket asaj që synojnë beratasit në sezonin e ri futbollistik.

Arberi

Arbëri flet mbi filozofinë e tij të punës dhe shpjegon mënyrën si i ka ndërtuar raportet me futbollistët, duke i drejtuar një mesazh të qartë për disa nga principet e kësaj pune, që thelbin e kanë në karakterin profesional. Trajneri u la për t’u kuptuar kundërshtarëve se beratasit do të jenë pa diskutim në grupin e skuadrave pretendente për t’u ngjitur në Superiore.

KLODIAN ARBËRI- “Pas pesë javëve të para të punës sonë me skuadrën gjatë fazës përgatitore, skaneri që unë si trajner dua t’i bëj procesit stërvitor, meriton të vlerësohet me notë maksimale. Kjo vetëm falë punës së bërë nga lojtarët e mi, pasi të gjithë së bashku kemi vlerësuar në maksimum procesin stërvitor. Kam në përbërje futbollistë ambiciozë, që karakterizohen nga modestia dhe profesionalizmi, gjë e cila personalisht më bën shumë të kënaqur, sepse drejtoj një grup që reflekton vetëm pozitivitet duke më mirëkuptuar plotësisht nga ana profesionale, sikurse dhe mesazhin që u përcjell për të kuptuar peshën e kësaj fanelle”, tha si fillim trajneri.

Më pas ai shtoi: “Për mua ka rëndësi të veçantë të funksionojmë së bashku si skuadër, si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Kjo është thelbësore në harmoninë e skuadrës, sepse dua të krijoj një ekip kompakt, duke qenë të gjithë si një familje. Ekipit i kam përcjellë një mesazh të veçantë. Pasi e njoh mjaft mirë fushën e futbollit, më së shumti detaji që merr rëndësi është se të gjithë janë të nevojshëm, por asnjë i domosdoshëm. Skuadrën e kam rindërtuar nga e para dhe së bashku me klubin dhe donatorin u premtojmë futbollistëve se nga ana jonë nuk do t’u mungojnë kushtet financiare mbi bazën e rezultateve. Sa i përket rivalitetit në kampionatin e ardhshëm, kam një mesazh të qartë: Tomori do të jetë në garë për ngjitjen në Superiore”, u shpreh trajneri Klodian Arbëri për gazetën.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"