Trajnerët sherr në tunel, Sinella përplaset fizikisht me Bubeqin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2017 | 21:52

Trajnerët sherr në tunel, Sinella përplaset fizikisht me Bubeqin

Java e 4-t e Kategorisë së Parë është mbyllur me një përballje spektakolare. Besa dhe Erzeni kanë dhuruar një sfidë shumë interesante dje në Kavajë. Besa ka fituar 3-1 ndaj shijakasve duke përmbysur disavantazhin e shpejtë. Një lojë e fortë, gabime, kartonë, tension në pushim të ndeshjes dhe gola të shumtë.

Bubeqi dhe Sinella

Madje, në pushim të takimit në tunel ka pasur përplasje fizike mes trajnerëve, Sinellës së Besës dhe Bubeqit të Erzenit. Madje, mësohet se ka pasur edhe ngritje duarsh nga tekniku i skuadrës vendëse.

Dhe me startin e pjesës së dytë, gjyqtari kryesor e ka dërguar Sinellën në tribunë duke i shpjeguar se arsyeja ishte zënka me homologun e tij në tunel. Paksa e çuditshme një sherr i tillë duke ditur që të dy trajnerët janë kavajas.

Sinella

Reagimi i trajnerit të Erzenit Dorjan Bubeqi pas ndeshjes

Trajneri i Erzenit, Dorian Bubeqi, ka besuar se skuadra e tij mund të fitonte në ndeshjen e djeshme ndaj Besës. Por, avantazhi i shijakasve ka zgjatur vetëm pak minuta. Ndërsa, në pushim të ndeshjes, tekniku shijakas është përplasur me homologun e tij Bledar Sinella.

Bubeqi

Në një prononcim për gazetën, Bubeqi u shpreh: “Po, është e vërtetë që ka pasur përplasje në tunel. Ne kishim ardhur për futboll, por nuk rezultoi ashtu. Më vjen keq që ndodhin gjëra të tilla. Kjo ndeshje ishte fryrë shumë. Për sa i përket ndeshjes, mendoj se meritonim më shumë. Megjithatë, në ‘derbe’ të tilla pranohet çdo rezultat”, përfundoi prononcimin e tij Bubeqi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"