Trajnerët e huaj, Ze Maria në gjurmët e Rubios

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2018 | 13:38

Trajnerët e huaj, Ze Maria në gjurmët e Rubios

Ze Maria i hap “sfidë” Rubios. Braziliani është i vetmi nga trajnerët e huaj që po shkon në gjurmët e spanjollit. Vend për të bërë krahasime të mëdha sigurisht që nuk ka dhe kjo duket qartazi prej ligave. Ish-trajneri, jo vetëm që e drejtonte Tiranën në Kategorinë Superiore, por mbi të gjitha kishte edhe superorganikë.

ze maria

Asokohe nuk mundi të merrte vetëm titullin kampion, pasi të gjithë trofetë e tjerë i bëri pronë të bardhebluve. Konkretisht, mori Kupë Shqipërie dhe dy Superkupa dhe rastësia bëri që të gjitha i festoi përballë të njëjtit kundërshtar, Skënderbeut. Edhe Hoze Marselo Ferreira e nisi mbarë dhe merita e tij më e madhe, sigurisht që qëndron te fakti që “rimëkëmbi” një skuadër pa moral, që sapo kishte rënë nga kategoria. Direkt mori Superkupën dhe tashmë kanë shansin që të shpallen edhe kampionë të Kategorisë së Parë. Për një klub si Tirana mbetet një trofe i papërfillshëm, por në fund të fundit, ish-mbrojtësi i Brazilit, nëse ia del, përmbush objektivat dhe bëhet trajneri i vetëm që i afrohet Hulian Rubio Sançezit, duke shkuar në dy trofe.

Kanë edhe një tjetër të përbashkët mes tyre, pasi ndryshe nga homologët e tjerë, e kanë nisur dhe mbyllur vetë sezonin. Mjafton të kujtojmë që Miklosh Temeshvari qëndroi 21 javë e Enver Haxhiabdiç 9, Leonardo Menekini 11, Balzho Slishkoviç 17 ndeshje, ndërsa Ilia Lonçareviç po 9, për të kuptuar që “latinët” kanë jetëgjatësi në Shqipëri. Në këtë listë duhet të përfshijmë sigurisht edhe Emanuel Egbonë dhe Ivan Gvozzdenoviç.

Rubio

Ata kanë qëndruar realisht pak, për të mos thënë që ishin provizorë në “timonin” e kryeqytetasve. Megjithatë, detaji më interesant lidhet me të shkuarën e largët, konkretisht në sezonin 1933- 1934, kur ekipi drejtohej nga hungarezi Samo Singer dhe ky është i vetmi që ka fituar titull. Katër prej të huajve erdhën dhe ikën pa lënë gjurmë, konkretisht Menekini, Slishkoviç apo edhe Egbo dhe Gvozdenoviç. Ndërsa duhet thënë që 5 trajnerë kanë siguruar Superkupat, veç Rubios që mori dy, ia ka dalë Temeshvari, Haxhiabdiç, Lonçareviç dhe më i fundit Ze Maria, ndërsa Kupa e Shqipërisë ka ardhur në kohën e Kërstiçeviçit dhe Rubios.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"