“Trajner intrigant”, sulmuesi i Butrintit ikën mes akuzash/ Reagon Çipa: Më ofendoi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2022 | 12:23

“Trajner intrigant”, sulmuesi i Butrintit ikën mes akuzash/ Reagon Çipa: Më ofendoi…

Plas te Butrinti! Dje ka konfirmuar largimin nga skuadra sulmuesi sarandjot, Ervin Brahimi, i cili ka akuzuar direkt trajnerin Odisea Çipa.

b43a447d-7f0d-40ba-b376-2f0c71c05958

“Falënderoj të gjithë çunat që kam luajtur te Butrinti. Nga sot e tutje nuk do të jem më pjesë e ekipit për shkak të intrigave të trajnerit kundër meje sikur unë kam dhënë lekë për të luajtur më parë. Me llafe merren të gjithë, por statistikat e mia tregojnë gjithçka, si nga golat edhe paraqitja deri ku jam sot. Saranda është një vend intrigash. E respektoj fanellën e Butrintit, pasi kam luajtur dhe derdhur djersë, por nuk toleroj të ma hedhin poshtë me intrigat e tyre”, shkruante 19-vjeçari Brahimi në rrjetet sociale.
5250a0a1-19e6-4473-9988-c7e9ceb8823f

ODISEA ÇIPA Pas akuzave në rrjetet sociale nga lojtari, ka reaguar menjëherë për “Panorama Sport” trajneri i Butrintit, Odisea Çipa, i cili ka treguar të gjithë kronologjinë e problematikës që ka shfaqur sulmuesi në këtë periudhë.

“Së pari, më duhet të saktësosh se lojtari është përjashtuar për thyerje disipline të përsëritur ndaj shokëve të ekipit dhe stafit drejtues. Në muajin gusht, gjatë një miqësoreje me Memaliajn, Brahimi ka hedhur fanellën në tokë. Si staf, në atë kohë kemi marrë masë ndëshkimore, duke e lënë jashtë seancave stërvitore. Më pas, u mblodhëm dhe vendosëm për ta falur lojtarin, për vetë faktin që është i ri në moshë dhe të gjithë mund të gabojmë. Dy ditë më parë, sërish Brahimi kapet me stafin, me disa aludime dhe ofendime kundrejt nesh. Kjo bëri që ne të marrim një masë ndëshkimore. Me urdhër nga drejtuesit, lojtari në fjalë është larguar nga Butrinti. Nuk mund të jetë askush mbi dinjitetin dhe disiplinën e një ekipi dhe qyteti. Secili ka përgjegjësitë e veta, por Brahimi e ka mbyllur para kohe kontratën me klubin tonë”, ka thënë dje Çipa enkas për gazetën. Ndërkohë, të njëjtën gjë konfirmoi edhe shefi i klubit, Fuat Karalliu.

FATOS LAMAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"