Trajner, drejtor klubi dhe mësues në xhami, një “hero” në Bulqizë/ Rrëfimi i Hakik Çekiçit: Si ia dal në qytetin e kromit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 23:12

Trajner, drejtor klubi dhe mësues në xhami, një “hero” në Bulqizë/ Rrëfimi i Hakik Çekiçit: Si ia dal në qytetin e kromit

Administrator i klubit të Bulqizës dhe njëkohësisht trajner i ekipit, mësues i edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare “Shefqet Tançi”, predikues prej vitesh në xhami për të rinjtë, por jo vetëm. Nëse shikon profilin e tij në “Facebook” i gjen edhe foto si bletërritës.

hakik

Quhet Hakik Çekiçi dhe është 45 vjeç. Një personazh i vërtetë, që vjen nga Bulqiza dhe njëherësh bën disa funksione në qytetin e tij, të cilin nuk e ka braktisur. Vendi që njihet për një burim të konsiderueshëm kromi, nga ku mbështetet pjesa më e madhe e ekonomisë së zonës, ka sot edhe një skuadër në Kategorinë e Dytë, që e ngjiti për herë të parë në histori pikërisht Hakik Çekiçi.

Por si është të drejtosh një skuadër që nuk ka ende një stadium dhe i bën stërvitjet sa në Tiranë, Bulqizë apo Burrel, e ndarë në disa grupe?! Çekiçi rrëfen ekskluzivisht për “Panorama Sport”, si ia del të bëj disa punë, e njëkohësisht të realizojë ëndrrën e tij në Bulqizë.

Vetëm pak ditë më parë, ai dhe qyteti ku aktualisht jetojnë rreth 8 mijë banorë, mësuan lajmin se FSHF-ja i kishte falur dhe do të jenë sërish pjesë e Kategorisë së Dytë, në një kohë që në muajin maj ishin dënuar me akuzën e trukimit. Çekiçi tregon sakrificat dhe pasionin që ka për futbollin, ndërsa në Bulqizë presin të përfundojnë punimet në stadiumin e ri.

Hakik, si është të drejtoni Bulqizën në Kategorinë e Dytë?

Realisht ka qenë pak e vështirë, pasi na ka munguar fusha. Pothuajse të gjitha ndeshjet e sezonit të fundit i kemi zhvilluar në fusha asnjanëse. Duke qenë se jemi gjithnjë në udhëtime, është një sforco e dyfishtë dhe një sakrificë e madhe për ne dhe të gjithë ekipin. Ndryshonte puna nëse do të luanim para tifozëve tanë, për t’u dhënë edhe atyre atë kënaqësinë e të parit skuadrën e zemrës.

Përveç faktit që klubi nuk ka një stadium të vetin, cilat janë vështirësitë e tjera më të mëdha që hasni?

Ekipi është ndarë thuajse në tri pjesë. Një grup është stërvitur në Tiranë, por gjithashtu disa të tjerë në Burrel dhe Bulqizë. Shumicën e ndeshjeve e kemi zhvilluar në Tiranë në kompleksin e Kamzës si pritës.

251397487_108841064934450_3819799209910839864_n

Natyrisht, këto janë vështirësi shumë të mëdha, sepse mbi të gjitha është gati e pamundur ta përshtatësh ekipin në momentin që lojtarët nuk stërviten bashkë, por të ndarë. Kjo është një pengesë shumë e madhe, por me sakrifica ia kemi dalë deri tani, duke arritur mbijetesën në sezonin e fundit me paraqitje shumë të mira. Aktualisht, jemi duke u riorganizuar, sepse pas dënimit, e kemi marrë shumë vonë përgjigjen për faljen. Këtë javë do të nisim stërvitjen në Bulqizë.

Kur Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF dënoi klubin për trukime, çfarë menduat?

Realisht ishte shumë e vështirë për ta pranuar diçka të tillë. Në qytetin ku jetoj kam personalitet dhe ne nuk jemi shquar kurrë për të tilla veprime të dënueshme. Domethënë, mund ta konsideroj si një ëndërr të keqe. Pasi mësuam për dënimin, më tepër më erdhi keq për qytetin, se sa për veten time. Shyqyr Zotit që drejtësia shkoi në vend.

Jeni trajner dhe njëkohësisht administrator i klubit, por miqtë ju thërrasin edhe drejtor. Na tregoni pak për këtë?

E vërteta është që unë kam qenë si themelues i klubit dhe ringritjes së tij, kështu që më është dashur të bëj njëherësh disa funksione te Bulqiza. Gjithçka e kam bërë me pasion dhe me shumë përkushtim. Përveç detyrës së trajnerit, për të cilën paguhesha, të gjitha funksionet e tjera i kam bërë pa pagesë. Bulqiza është vendi im dhe ia vlen të kontribuoj me mundësitë që kam. Ndihem i respektuar nga të gjithë dhe kjo më motivon më shumë se gjithçka. Gjëja më e bukur do të jetë kur skuadra të luajë në Bulqizë. Atëherë do ta ndiejmë edhe më shumë respektin dhe dashurinë që kanë njerëzit në këtë qytet për futbollin. Mendoj se do të ndryshojë opinioni edhe për ne.

Ju kemi parë që jeni i përkushtuar pas fesë dhe jepni mësim për të rinjtë, çfarë titulli keni?

Për momentin jam pezull, nuk e ushtroj. Të them të vërtetën kam punuar shumë vite si mësues në xhami dhe njëkohësisht jam profesor në një prej shkollave 9- vjeçare të qytetit. Kam qenë i angazhuar gjithnjë në të dyja krahët dhe për mua mbetet një mision i madh të edukoj të rinjtë.

HAKIK CEKICI

Përveç mësuesit dhe trajnerit, duket se keni pasion edhe bletët…

Ka qenë një moment kur me një të afërmin tim jam marrë dhe këtë e kam publikuar si foto në rrjetet sociale. Nuk mund të quhem bletërritës, thjesht e kam bërë për qejf një periudhë. Pasioni im i madh është pa diskutim sporti. Sigurisht, duke qenë se unë bëj disa gjëra, jo thjesht vetëm në pjesën e futbollit, kjo pjesë mund të duket e veçantë, por edhe e çuditshme. Çdo gjë që kam bërë në jetë, e kam me punë të ndershme. As jam përzier ndonjëherë me politikën apo diçka tjetër për të përfituar. Nuk jam djali i ndonjë bosi apo emri të njohur. Gjithçka e kam bazuar te puna.

CEKICI XHAMIA

Cila është ëndrra juaj me Bulqizën në futboll?

Dikur ka qenë një ëndërr që të isha trajner. Pasi u bëra, dëshira më e madhe ishte që të ngjisja ekipin në Kategorinë e Dytë, duke qenë se nuk ka qenë asnjëherë në këtë nivel. Tashmë ambiciet shtohen dhe shpresoj që një ditë të jemi në Kategorinë e Parë. Do të ishte kulmi për qytetin tonë, aq më tepër që tani po ndërtojmë edhe stadiumin. Shpresojmë që bashkia të përshpejtojë punimet që janë bërë në stadium dhe të luajmë të paktën në fazën e dytë në fushën tonë. Kanë mbetur për t’u ndërtuar dhomat e zhveshjes dhe rrethimi i stadiumit, por për momentin besoj se fazën e parë në sezonin e ri do ta luajmë në Tiranë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"