Tragjedia në Turqi, shqiptarët i shpëtojnë tërmetit të fuqishëm/ Nga Rroca te babai i Arda Kurtulan, ja situata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2023 | 20:50

Tragjedia në Turqi, shqiptarët i shpëtojnë tërmetit të fuqishëm/ Nga Rroca te babai i Arda Kurtulan, ja situata

Në mëngjesin e djeshëm Turqia është goditur nga një tërmet i fuqishëm, 7.8 ballë i shkallës rihter, ndërsa raportohet për mbi 2500 të vdekur dhe mijëra të plagosur, sakaq vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Një tragjedi e tmerrshme me epiqendër në qytetin e Gaziantep, që ndodhet përgjatë kufirit Turqi-Siri dhe tërmeti u ndje në disa vende të tjera, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin.

termeti-ne-turqi-1280x720

Ndërkohë, sa i përket futbollistëve shqiptarë që ndodhen në Turqi, fatmirësisht të gjithë janë mirë, sepse luajnë larg zonës ku ishte goditja.

Më afër me zonën ku ra tërmeti, rreth 500 km, është qyteti i Konias, që përfaqësohet me klubin e Koniasporit, aty ku luan mesfushori i Kombëtares Endri Çekiçi, i cili dje ishte i angazhuar me ekipin në ndeshjen e transfertës kundër Fenerbahçes në Stamboll, sfidë e cila u shty menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë.

1665418221_rroca3

Gjithashtu, futbollistët shqiptarë si Eduart Rroca, Sidrit Guri, Valon E’temi, Jetmir Topalli që luajnë me Istanbulsporin, janë ndodhur 1000 kilometra larg dhe nuk kanë ndierë asnjë lëkundje.

KURTULAN5

Edhe Odise Roshi që luan me Sakarjasporin, ndodhet në qytetin e Sakariasë, 850 kilometra larg epiqendrës. Edhe Ermir Lenjani, Arda Kurtulan dhe Dejvi Bregu ndodheshin larg tërmetit që shkaktoi tmerr në jugun e Turqisë.

RROCA- Mesfushori shqiptar ndodhej larg epiqendrës së tërmetit dhe pas një interesimi të gazetës ai shprehet se nuk kanë ndierë asnjë lëkundje, pasi ndodhen në Stamboll dhe shumë larg nga qyteti ku ra tërmeti.

BABAI I ARDA KURTULAN- Lojtari me origjinë të largët shqiptare dhe i thirrur së fundmi me Shpresat kuqezi, Arda Kurtulan, është pjesë e klubit të Adana Demirsporit, i vendosur në qytetin e Adanës dhe rreth 150 kilometra larg qendrës së tërmetit, por pak javë më parë ai u huazua në Kategorinë e tretë te Kacabei Belediespori, ekip që ndodhet afër qytetit të Bursës dhe larg qendrës së tërmetit.

Gazeta u interesua te babai i Ardës, Ramazan Kurtulan, dhe për fat të mirë ata jetojnë në Stamboll dhe nuk kanë ndierë asgjë. “Faleminderit për interesimin, ne jetojmë në Stamboll dhe tërmeti ka qenë larg për pothuajse 1000 kilometra. Por ka qenë shumë keq, pasi ra edhe një tërmet i dytë pak më vonë”, thotë babai i futbollistit Arda Kurtulan.

LENJANI-Edhe mbrojtësi i majtë kuqezi ndodhet në zonën e Stambollit dhe për gazetën konfirmon se janë shumë mirë.

SITUATA- Teksa Turqia ka shpallur mbajtjen e shtatë ditëve zi, gjithashtu edhe kampionati i futbollit në të gjitha kategoritë në vend është ndërprerë. Situata është e rëndë dhe numri i viktimave vijon të rritet. Ekipet e shpëtimit në Turqi shpëtuan mbi 2.400 njerëz nga nënrrënojat e ndërtesave të rrafshuara nga tërmeti.

futbollistet

Ndërkohë në Siri, të paktën 1238 njerëz kanë vdekur në rajonet e Alepos, Hamas, Latakias dhe Tartusit. Sa i përket ekipeve të futbollit të qyteteve që janë prekur nga kjo tragjedi, ato janë: Adanaspor, Jeni Malatiaspor, Hatajaspor, Gaziantep, Osmaniespor, ekipe në të cilët nuk luajnë futbollistë shqiptarë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"