“Tradhtari” Alaba për rekord, 400 ndeshje me Bajernin. Gati të kalojë Riberinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 23:17

“Tradhtari” Alaba për rekord, 400 ndeshje me Bajernin. Gati të kalojë Riberinë

David Alaba luajti ndeshjen e 400-të me skuadrën e Bajernit të Mynihut. Austriaku ka fituar 301 ndeshje, barazuar 54 dhe humbur 46 me fanellën e kampionëve në fuqi. Të martën në Madrid, Flik, i detyruar nga mungesat e shumta, i dha mundësinë atij të mbante shiritin e kapitenit. Ishte një nga ndeshjet më të mira për Davidin i cili realizoi 102 pasime dhe 110 kontakte me topin në atë natë jubilare për të. Në fund të sezonit pritet të ketë një ndarje mes klubit dhe lojtarit. Pas më shumë se dy muaj tentativash për të rinovuar nga drejtuesit e Bajernit, Alabasë iu hoq e drejta për të rinovuar dhe në qershor, atëherë kur skadon edhe kontrata. Ai pritet të nisë një aventurë të re jashtë Gjermanisë.

alaba 1

MË SHUMË SE 10 VITE NGA DEBUTIMI

Ndeshja e tij e parë me fanellën e Bajernit daton më 10 shkurt të 2010-ës. Atëherë Bajerni luante me Grojter Fyrth për çerekfinalen e kupës së Gjermanisë. Ndeshje që u fitua nga vendësit me rezultatin e thellë 6-2. Luis van Gal i besoi austriakut i cili që atëherë vazhdon të luajë për bavarezët. Kështu ai është lojtari i dytë pas Tomas Mylerit që vazhdon të jetë në Mynih. Myler bëri debutimin e tij me skuadrën më të titulluar në Gjermani më 15 gusht të 2008-ës. Timoshuk i linte vendin Alabasë në minutën e 59 dhe ky i fundit nuk zhgënjeu duke dhënë një asist për Frank Riberinë që shënoi golin e 3-2. Pas një huazimi 6 mujor te Hofenhaimit në janar të 2011 deri në qershor të 2011, David u rikthye sërish në Mynih duke luajtur 349 nga 400 ndeshje si titullar.

2 HERË CHAMPIONS

Së bashku me Manuel Nojerin, Zherom Boateng dhe Tomas Myler, Alaba fitoi sërish Champions-in me Bajernin në 2020 ashtu siç bëri në 2013 në Londër në finalen ndaj Borusias së Dortmundit. Austriaku ka fituar deri tani edhe 9 kampionate, 6 Kupa të Gjermanisë dhe 1 Kupë Bote për klube, dy herë Superkupën e Europës. Në këtë sezon ai është sërish në rrugën e duhur për të fituar Bundesligën.

david alaba

LOJTARI I DYTË MË I RI

Vetëm 17 vjeç dhe 231 ditë ishte David Alaba në verën e 2008-ës kur u transferua në Mynih. Jamal Musiala që luan aktualisht me kampionët është më i ri se ai. Anglezi është vetëm 17 vjeç dhe 115 ditë duke e bërë Alaban lojtarin e dytë më të ri që luan për klubin bavarez. I treti është një lojtar tjetër që luan në këtë sezon me gjermanët, 17 vjeç dhe 250 ditë, Brajt Arei-Mbi.

VETËM RIBERI KA MË SHUMË NDESHJE

Frenk Riberi ka luajtur 425 ndeshje me Bajernin e Mynihut. Ai dhe Alaba formuan dyshen e suksesshme në krahun e majtë duke mbetur të pathyeshëm për më shumë se 9 sezone. Nëse austriaku nuk do të dëmtohet dhe do të luajë të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit, atëherë ai mund të thyejë rekordin e francezit. Për momentin vetëm Manuel Nojer (402) dhe Tomas Myler (522) kanë luajtur më shumë ndeshje se Alaba.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"