Torres nuk mjafton, barazim për Milanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2014 | 21:05

Torres nuk mjafton, barazim për Milanin

Empoli-Milan-2-2Humbja kundër Juventusit u duk sikur nuk ishte kapërdirë ende nga Milani, i cili nuk reagoi siç duhet në Empoli. Në stadiumin “Kastelani”, në mbrëmjen e debutimit si titullar të Fernando Torresit, 30 minutat e para ishin një makth, që jo vetëm e panë Milanin në disavantazh të 2 golave, por mund të rrezikonin të pësonin edhe të tretin. Gjithsesi, “El Ninjo” merr për dore skuadrën në fund të pjesës së parë, duke shkurtuar avantazhin dhe më pas Honda barazoi gjithçka, edhe pse Menez është i pafat kur e sheh golin e fitores që t’i ndalet nga traversa. Empoli, nga ana e saj, la në stol shqiptarin Elseid Hysaj, por mbrojtësi i përfaqësueses do të zbriste në fushë në të 69-n, duke ndihmuar të tijtë që të marrin një pikë të rëndësishme, edhe pse dje blutë i shkuan pranë një mbrëmjeje përrallore, të mundnin Milanin.
Shokohet Milani – Inzagi zgjedh Torresin në vend të El Sharauit, me spanjollin që tregon menjëherë se ka dëshirë që të luajë, të sakrifikohet për skuadrën, duke u tërhequr deri në mesfushë për të ndihmuar ekipin. Por askush nuk e kishte imagjinuar se Empoli ishte “vrasës” nga goditjet standarde. Edhe pse kuqezinjtë hidhen të gjithë në sulm për të kërkuar golin e avantazhit, në goditjen e parë të këndit nga vendësit, ata do ta shohin veten në ndjekje. Toneli kërcen më lart se të tjerët dhe tund rrjetën e Abiatit. Jemi vetëm në minutën e 13-të… Kalojnë vetëm pak sekonda dhe Abiati shmang golin e dytë, duke bërë dy pritje fantastike ndaj Veçinos dhe Puçarelit, por ky i fundit në minutën e 21-të, do jetë në vendin dhe në kohën e duhur. Një skemë nga një goditje dënimi dërgon edhe pse pak me fat sulmuesin e Empolit përpara Abiatit, që nuk fal, por dërgon shifrat në 2-0. Inzagi nuk u beson syve dhe udhëzon Torresin në një ndryshim taktik, nga 4-3-3 në 4-2-3-1, por ndërkohë Milani humb edhe Van Ginkelin, për një dëmtim në kavilje, i cili njollos debutimin e mesfushorit si titullar. Në fushë zbret Bonaventura dhe me modulin e ri skuadra nis të luajë më mirë, aq sa pjesa e parë mbyllet me ngushtimin e disavantazhit. Abate kroson në zonë në të 43-n dhe zgjon instinktin prej bomberi të Torresit, që me kokë shënon një gol të cilin vetëm ai mund ta bënte që të dukej aq i lehtë.
Barazim dhe traversë – Edhe pjesa e dytë ofron të njëjtin skenar: Milani në sulm, ndërsa Empoli që frikëson në kundërsulm, duke i shkuar pranë golit të tretë me Tavanon, por Abiati nuk lë top të kalojë. Ato gabime, të cilat i mohojnë Empolit që të sigurojë një fitore të madhe, i lejojnë Hondës, nga ana tjetër, që të barazojë, me japonezin që nga brenda zonës dërgon shifrat në 2-2. Për avantazhin ka kohë pa fund, por fati nuk e ndihmon, teksa Menez tund vetëm traversën dhe jo rrjetën. Vendësit blindohen edhe më shumë në mbrojtje me Hysajn që lufton fort me kuqezinjtë, ndërsa Valdifiori lë Empolin me dhjetë vetë, ndonëse ky karton i kuq nuk do ndikojë në rezultat.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"