Topllari “kërcënon” Lushnjën: Duhet të na e ketë frikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 16:53

Topllari “kërcënon” Lushnjën: Duhet të na e ketë frikën

Pogradeci është ngjitur në vendin e dytë dhe me 4 fitore radhazi është futur në “vallen” e pretendenteve. Protagonisti i trepikëshit të fundit ishte Eldjon Topllari. Sulmuesi rigjen golin pas 6 muajsh mungesë dhe tani premton se nuk do të ndalet më. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, 27-vjeçari flet edhe për garën, ndërsa hapur paralajmëron rivalët.

pogradeci

Topllari, e festuat shumë golin ndaj Besës, kaq shumë e kishit pritur?

Ishte goli im i parë për këtë sezon. Më kishte munduar dhe munguar shumë dhe më në fund erdhi. Iu drejtova tribunës, pasi kam përshëndetur në mënyrë të veçantë familjarët e mi, të cilët më mbështesin dhe natyrisht sportdashësit. Por, për mua golat personalë janë në plan të dytë, pasi në fund më shumë vlejnë pikët e plota.

Pas një starti të dobët, Pogradeci duket i “transformuar”. Çfarë ka ndodhur? 

Asgjë e veçantë. Ne kemi zhvilluar takime të mira, por ekipi vetëm tani po shkon drejt konsolidimit të plotë. Të dëmtuarit janë rikuperuar dhe kemi më shumë gjendje fizike. Të marrësh katër fitore radhazi, kjo nuk është pak dhe për më shumë të mundësh Lushnjën e Apoloninë, është dëshmi e forcës sonë.

Në Pogradec shënojnë të gjithë, por mbi të gjitha sulmi ka shumë rivalitet. Si ndihet Eldjoni? 

Ndihem më shumë se mirë. Të kesh në krahë futbollistë si Shkullaku dhe Alillari, është një luks. Dinë të përdorin shumë mirë topin dhe të krijojnë zona për të goditur portën, por në këto ndeshjet e fundit kam qenë unë në pozicionin që duhet t’u krijoj atyre mundësi për të dalë para portës. Ne jemi një ekip që në tërësi e njohin golin. Në mesfushë janë Liçkollari dhe Jahaj, ndërsa në mbrojte Pura dhe Pere. Pra, jo rastësisht jemi në këtë formë.

I jeni afruar edhe Lushnjës, 2 pikë janë të arritshme? 

Çdo ekip duhet të na ketë frikë. Në këto momente ne ndjekim Lushnjën, ndaj duhet të na druhen. Kjo është normale, pasi edhe ne kur të jemi në krye, duhet të kemi kujdes nga ato që janë pas. Por tani le të mos shkojmë shumë larg, të mendojmë vetëm për takimin e radhës. Java e 9-të që përkon me fundin e fazës na çon në transfertë. Do ndeshemi me Turbinë dhe objektivi është marshimi.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"