“Topi nën pushtetin e tyre”, një libër i ri sportiv i Skifter Këlliçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 22:23

“Topi nën pushtetin e tyre”, një libër i ri sportiv i Skifter Këlliçit

SKIFTER KËLLIÇI

Kohët e fundit Shtepia Botuese “Living” në Tiranë botoi librin me temë sportive “Topi nën pushtetin e tyre” të shkrimtarit dhe komentatorit sportiv, Skifter Kelliçi. Libri është vazhdë librave të tillë me temë sportive të këtij autori, si vëllimet me tregime ‘Një ndodhi në stadium’, (1968), ‘Shkallët e murrme’, (1969)”, novelës “Në tokë të huaj”, (1970), romanit “Tirana dy orë para dënimit”, (1998)   dhe librave publicistikë, “Historia e futbollit’, (1980), “Nga 2-3-5,në 4-4-2”, (1987) dhe  “Yjet e futbollit botëror”, (1998).

Kellici foto

Pjesa e parë e librit të mësipërm me titull “Kujtime’, përfshin kujtime të autorit nga viti 1943, kur ishte pesë vje$, deri sot, dhe pjesa e dytë me titull “Ne shtjellat e gazetarise sportive”, përfshin artikuj, recensione, fejtone edhe tregime humoristike me temë sportive, te botuara ne gazeta shqiptare, edhe në “Panorama Sport” ne periudhen 2004-2019.

Kopertina e librit

Po botojmë dy fragmente nga ky libër

SHKRIMI IM I PARË NE GAZETEN“SPORTI POPULLOR”

Vëllai im, Luani  me kushuririn tonë, Adnan Këlliçi, që më pas,  pas do të bëhej nga mjekët laringologët më të njohur në Shqipëri, së bashku me Frankon, djalin e Sali Nallbanit, dhe  kushuririn  e tij, Shpëtim  Nallbanin,dhe fëmijë të tjerë, të cilët kishin nisur të luanin  tenis që më 1950, ndonëse më 1954, ende 15-16 vjeçarë, ishin  bërë tenistë të fortë dhe që prej dy vjetësh merrnin pjesë në kampionate vendore të Tiranës, që aso kohe quheshin lokale, kurse unë , siç e kam përmendur dhe më sipër, sii… patalentuar, isha shndërruar në shikues.

Bashkë me ta luante edhe tenisti i mirënjohur Hysen Filja, që ishte disa vjet më i madh se ne. U bënë shpejt tëfortë, sepse gjatë vitit 1953 ata luajtën për disa muaj resht me një aktor sovjetik , që kishte ardhur në Tiranëpër  xhirimet e filmit “ Skënderbeu””, të cilat përfunduanpo atë vit.  Dhe në tenis nuk kishte të sharë.

Nuk është fjala se ishte lojtar i shquar, por  vinte  nga një vend, si Bashkimi Sovjetik, ku tenisi, si dhe shumë sporte të tjera, kishte shumë popullaritet dhe nivel të lartë, që u dëshmua pas pak vjetësh edhe në arenën botërore. Kështu, veç ndihmesës së Sali Nallbanit, “babait” të tenisit,që  vazhdonte të ishte për ta më shumë se trajner,edhe përvoja e tij ndikoi që tenistët e vegjël që përmenda më sipër,të luanin gjithnjë dhe më mirë.

Si pasojë, ndeshjet e kampionatit vendor, që përfundoi të dielën e dytë të gushtit të vitit 1954 , falë lojërave të tyre, u bë tërheqës. Fitues u shpall im vëlla Luani. Ishte vërtetpër  të ardhur keq që në faqet e “Sportit..” ato dy vjet  këtij sporti nuk i ishte kushtuar as edhe nje resht. Sikur ai  të ushtrohekëka në ndonjë planet tjetër, kur zyrat e kësaj gazete, që ndodheshn në katin përdhes të Ministrisë së Shëndetësisë, (sot godina pas Ministrisë së Mbrojtjes), nga ku atëherë varej Komiteti Shtetëror i Kulturës Fizike dhe Sporteve,ndodheshin jo larg  Parkut Sportiv “Rinia”.

Mirëpo, “ kur nuk vete Muhamedi te mali, vete mali te Muhamedi”… Pra, ishte tenisi që do të shkonte te zyrat e “Sportit…’” Dhe këtë, që atë të hënë,  pasi kampionati kishte përfunduar, e bëra… unë, 16-vjeçari,me pantallona të shkurtëra,  që priste të fillonte  maturën, në Gjimnazin “ Qemal Stafa”. Me fjalë të tjera, sajova një reportazh të shkurtër për këtë veprimtari. Dhe pa humbur kohë, u nisa drejt e e të zyrat e “ Sportit…’”.

– Shokë gazetarë, po ju sjell një shkrim për kampionatin lokaltë tenisit, që përfundoi dje, të këtij sporti që për ju është i njerkës.. . Ju lutem, botojeni këtë numër!..

Mos pandehni se njëmend u thashë atyre këto fjalë? Kurrsesi! Për më tepër, as që trokita dhe as qëu futa në ato zyra dhe as takova ndonjë gazetar… Përkundrazi, shkova te portieri, një burrë i moçëm, babaxhan, që ishte mëhalleli yni, dhe i dorëzova shkrimin.

-Po ti shko vetë brenda dhe takohu me e ta,- më tha ai mirakandshëm.

Por unë nga turpi, i ktheva një buzagaz  të drojtur dhe u largova, sikur të kisha frikë , se mos ndonjë nga ata gazetarët, që nuk i njihja as edhe për fytyrë, po ta merrte vesh se kisha ardhur, do të ndiqte pas e do të më mbulonte me qortime,  se  u kisha dërguar atë shkrim dhe për çfarë?… Për tenisin, që ishte katandisur të luhej tashmë vetëm në kryeqytet, nga niveli kombëtar, në atë lokal!..

Gazeta aso kohe dilte çdo të mërkurë. Pra, nga e hëna, kur dorëzova shkrimin te portieri, duhej të prisja dy ditë që ta shihja të ishte botuar te “Sporti”. Por, a do të botohej?

…Gazetari merr shkrimin nga portieri, sheh emrin tim , që nuk e ka dëgjuar kurrë, nis e lexon, rudh buzët, ngërthen vetullat dhe e hedh në kosh. Ose: gazetari merr shkrimin, e lexon,  fytyra i rrezit, nis e daktiligrafon dhe e bën gati për botim, edhepse përfytyron se autori, krejt i panjohur, është një kalama 16-vjeçar… Njëra prej të dyjave do të ndodhte…

Të mërkurën me sabah, së bashku me vëllanë, tashmë kampion tenisi, u sulëm te Dyqani i Sportit, ku  shitej edhe gazeta “ Sporti Popullor”, atje ku një tufë syresh kishim parë atë ditë vjeshte të vitit më 1945, dhe ku 7 vjet më pas kishim blerë topin e lëkurtë të futbolit.

Blemë një kopje të gazetës e shfletuam duardridhur dhe ja, sytë na zunë fillimthi emrin tim më shkronja të mëdha dhe mbi të, shkrimin, të cilin e përpiva. Pra, ishte  botuar, madje me ndryshime shumë të vogla.

Vetëm ata që kanë botuar për herë të parë shkrime në moshë shumë të re, mund ta marrin me mend se ç’ndjeva unë në ato çaste. Katër vjet të shkuara isha gazmendur, sepse  në një artikull të botuar  te po kjo gazetë,  për një simultane shahu, kisha parë emrin tim, edhepse shahist i mundur, dhe e kisha ndjerë veten të ngazëllyer. Kurse tani isha unë që kisha bërë një shkrim për të tjerë. Të shkurtër, të thjeshtë, jo si vjershat e para të Kadaresë, dy vjet më i madh se unë,  që po atë vit dëmshonin  se në letërsinë shqiptare  po vetëtinte ylli një talenti të rallë , por që, gjithsesi, ky shkrim  botohejnë faqet e njërës prej gazetave më të mëdha shqiptare dhe që e lexonin mijëra e mijëra dashamirës të sportit, anekënd vendit tonë.

Natyrisht nuk ndodhi që të mëdhenj e të vegjël të më ndalnin në rrugë dhe të më ngrinin në qiell për çka kisha zografisur.. Por, megjithatë, shokëve të mëhallës, disa nga të cilët vite më parë  kishin dëgjuar ritregimin tim të portreteve të futbollisteve tanë të shquar të shkruara nga Anton Mazreku dhe të botuara në faqet e  “Sportit..”, siç kam përmendur më lart, iu bë qejfi,  që unë që dikur isha dëshpëruar aq shumë me të papriturat hidhura që kishte pësuar“gazeta ime sportive” e murit,  lexonin artikull të shkruar po nga unë, por  tashmë në një gazetë të vërtetë.

Kishte nga ata, madje të rritur, që edhe vunë buzën në gaz,  kur lexuan atë shkrim, sepse autori, pra unë,  kishte të njëjtin mbiemër me dy pjesëmarrës të tjerë të kampionatit,  Luan dhe Adnan Këlliçi,  kurse  dy pjesëmarrës të tjerë, Frankoja  dhe Shpëtimi,  kishin mbiemrin Nallbani, si dhe Saliu, që tanimë ishte jo vetëm trajner yni, por si më parë edhe organizues i veprimtarive, por këtë radhë  të tonat të tenisit.

-Pse s’thua se ju Këlliçët dhe Nallbanët e paskeni bërë tenisin hise tuajën!-  ia këputën  si me të qeshur disa që lexuan atë shkrim.

Dhe thoshnin një të vërtetë. Për shumë vjet po këta tenistë, duke shtuar Hysen Filjen dhe ndonjë tjetër, vazhduan të prinin në këtë sport.

Brazili

SHKRIMET E MIA PER  BOTERORIN SUEDEZ, (1958)

Peërpara këtj botërori  në muajin maj të vitit 1958 botova në gazetën  “Zeri i Rinisë” dy shkrime të gjata; i pari i kushtohej përgatitjes së skudrave më të mira të botes për këtë botëror dhe i dyti përgatitjes së skuadrs sovjetike. Bisedova me Osman Palushin, atëherë kryeredator i ‘Sportit  Popullor;  që pas këtij botërori të botija jehonën e tij të bazuar në gazetën  “Sovjetskij  Sport’. Mirëpo ai më shpjegoi se kishin orientim që shkrimet të tilla të merreshn vetëm nga Agjensia Telegrafike Sovjetike, (TASS). Kurse Luan Dibra gazetari që mbulonte edhe sportin te “Zëri i Rinisë” dhe kryeredatori i saj Mi$o Verli miratuan pa ngurrim që të përgatisja shkrimet për Botërorin Suedi 1958.

Disa ditë para fillimit të këtij  botërori futbollin sovjetik u godit nga  një dramë  shumë tronditëse.Ylli i saj, Strelcov, dhe futbollistiët Ogonjkov dhe Tatushin, u arrestuan… Siç lexova në ditët e fundi të majit të vitit 1958 në “Sovjetskij Sport” dhe pastaj edhe në gazetën tonë “Sporti Popullor”, për arsye të veprimeve të pahijshme . Nuk shkruhej më gjatë duke lënë të kuptohej se diç fshihej, siç ndodhtejo rallë në shtypin e vendeve socialiste që kishin braktisur stalinizmin e zymtë, por ende jo në shtyp.

Dy të fundit u liruan dhe u kthyen në përfaqësuesen sovjetike që nga fundi majit u nis për në Suedi, kurse Strelcovi, siç u shkrua vetëm pas viteve 90-të në shtypin rus,  pas një kurthi të ndyrë dhe të pabesë që i përgatitën organet policore dhe gjyqsore sovjetike,  u dënua me 12 vjet heqje lirie. ( Rreth kësaj drame kam shkruar një ese të botuar në tetor të vitit 2015 në një gazetë të përditshme shkrimin  me titull “Strelovi dhe Halili, dy viktima të diktaturës komuniste”.

Botërorin suedez, që u zhvillua nga 8 deri 28 qeshor në disa stadiume të Suedisë, e ndoqa së pari nga trasmetimet e Radios italiane, sepse asokohe për ne shqiptarët televizioni pa aparate tëlvizive dhe pasntena, ishte ende  ëndërr. Mbaj mend se në vitrinat e MAPO-s së Tiranës u vendos një televizor i markës çeke “Tesla”, por askujt nuk i shkonte ndërmend ta blinte, jo vetëm sepse kushtonte një thes me para, por edhe sepse , për arsyen që përmenda, mund të shërbente vetëm si… stoli.

Por  e ndoqa edhe nga lajmet, komentet dhe intervistat  e gazetarëve sovjetikë, që kishin shkuar në Suedi, të cilat, qenë me të vërtetë shumë interesante dhe tërheqëse, sepse,  krahas tyre kishte dhe opinione të gazetarëve dhe specialistëve më të njohur të vendve të tjera.

Sovjetikët, ndonëse merrnin pjesë për herë të parë në këtë botëror, ku bënin pjesë 16 skuadra finaliste  të ndara në 4 grupe,  dëshmuan se kishin ambicje për të pushtuar majat më të larta të tij , edhepse  tekat e shortit eshpunë në një grup me Brazilin, Anglinë dhe Austrinë, (i ashtuquajtur ”grupi i ferrit”).

Meqë patën pikë dhe golaverazh të njejtë me anglezët, (atëherë nuk ishte vënë në jetë  regulli i 11-metërshave), pas dy ditësh ata u përplasën   edhe një herë me anglezët, i mundën dhe  pas dy ditësh të tjera, tejet të  sfilitur, kapitulluan  para të zotëve të shtëpisë. Dhe duhet thënë se këta të fundit   nuk e patën “për marre”, të mundeshin 5-2 nga brazilianët, të cilët, veç ngadhënjimit për herë të parë, dhe jo të fundit, në historinë e botërorëve, shpalosënnë tapetet e e blerta të stadiumeve nordike armën e tyre të tmershme, sistemin  4-4-2, që më shndërrimet e befasishme të saj,  shkërmoqi ËM-në tradicionale, pra, 3-2-2-3; tre mbrojtës, dy gjysmëmbrojtës, dy gjysmësulmues dhe tre sulmues.

Këto ishin të reja taktike, që, afërmendsh, jo vetëm unë, student, por edhe specialistë të njohur shqiptarë, nuk i ndiqnin, dhe nuk kishin si t’i ndiqnin, sepse asnjeri prej tyre nuk u ndodh në Suedi, për t’i parë ndeshjet nga afër. Ndaj  i mësova ato nga artikujt dhe analizat që ”Sovjetskij Sporti” i bëri botërorit suedez, sipari i të cilitu ul më 28 qershor 1958, me“marshin triumfal” brazilian, interpretuar magjishëm nga solistë të tillë si Xh. Santos, Didi, Zagallo, Garrinçadhe veçanërisht 17-vjeçari Pele, që shpejt do të shndërrohej në mit.

Më 29 qershor, ditë e hënë pasdite,  me të marrë në duar  numrat e rinj të “Sovjetskij Sportit”, që sapo TU 104 i kishte sjellë nga Moska në ”Librin Sovjetik”, gllabërova komentet dhe intervistat e finales braziliano-suedeze të këtij botërori, të botuara në atë gazetë. U njoha kështu edhe me shumë komente të tjera.  Dhe, duke u bazuar edhe në shënimet e nxjerra nga shkrimet e marra nga zhvillimi i botërorit trijavësh suedez, u ula dhe shkrova dy analiza me nga 5 faqe secila dhe të nesërmen  ia dërgova Luan Dibrës në zyrat e “Zërit të Rinisë”, që botohej të shtunën dhe të martën e ardhshme, pa harruar t’i shoqëroja dhe me foto të shkëputura nga ato gazeta.

Me vonesë, por “Zëri i Rinisë” ‘ e pasqyroi këtë ngjarje kaq të madhe sportive më mirë se “Sporti Popullor” që  u mjaftua vetëm me njoftimet e thata të TASS-it.

Më 1 korrik, së bashkë me shokët e mi, tashmë të kursit të tretëtë fakultetit histori-filologji, u nisa për në stërvitjen ushtarake njëmujore, që atë vit zhvillohej në Pogradec. Nuk munda të shoh kështu shkrimet e mia për botërorin e futbollit, të cilati kisha shkruar me aq merak.

Por këtu më ndodhi një e papritur që më shkëput i nga stërvitjet. Që në mëngjesin e datës 2 korrrik, kur ishim reshtuar për të bërë organizimn e stërvitjes, njëri nga oficerët pyeti me zë të lartë nëse kishe ndonjë student që bënte skica teknike. Nga radhët e studentëve të Institutit të Lartë Bujqësor doli nje gjatoshzeshkan. Pastaj ai oficeri pyeti nëse kishte ndonjë student tjetër që dinte të shkruante bukur, me pena të trasha dhe me bojë kine, siç i thoshin. Pa mbaruar mirë së thëni ato fjalë, dola rrëmbimthi nga reshti. Që në gjimnaz kisha pasur dëshirë të merresha me këtë loj shkrimi dhe stilet e tij, madje  në vitin e parë të Institutit Pedagogjik 4-vjeçar kisha bërë diciturat e fotografive të një ekspozite dhe kësisoj  ia kisha marrë dorën jo keq kësaj pune.

Çuditërsht nuk doli ndonjë tjetër që të na “hynte në hise”. Sidoqoftë, oficeri na futi në provë, dhe aty për aty aty u habit nga aftësitë e zeshkanit për të bërë skica, dhe prirjen time për bukurshkrim. Si pasojë, ne të dy “artistët” patëm “privilegjin”  që pas  stërvitje reshtore që bëhej në pikë të sabahut,  kur ende nuk na kishte dalë mirë gjumi, të shkonim në një dhomë,  muret e së cilës ishim mbushur me harta dhe skica ushtarake dhe të bënim punën së cilës  kishim dalë zot.

Por  pa pritur, të nesërmen në “punishten” tonë ia behu  një oficer tjetër, por  me gradën… major. Pra, ishte nga… kapot e atij reparti. Pasi mori vesh prej nesh se me se po merreshim aty,  ngërtheu vetullat, dhe duke na falenderuar nëpër dhëmbë, na tha se këtë punë duhej ta bënim “vullnetarisht” passtërvitjes,  se ky ishte dhe qëllimi për të cilin kishim ardhur- të mësonim të bëheshim oficerë, që në rast lufte… e kështu e  ashtu… e sosi… ligjëratën e vet. Dhe, të rrimë shtrember e të flasim drejt,thoshte një të vërtetë. Na pyeti pastaj si quheshim.

Ashtu siç kishte ndodhur në zborin e kaluar me atë togerin tifoz sporti, kështu ndodhi dhe me këtë oficer madhor. Befas ai nxori nga çanta disa gazeta shfletoi njërën prej tyre dhe duke më dëftyer një artikull, më pyeti me mëdyshje: ”Ti e ke shkruar këtë?”.

U habita kur pashë se ishte pjesa e parë e shkrimit tim,kushtuar Botërorit Suedez, madje dhe me foto, botuar në ”Zërin e Rinisë”. Pohova me kokë, duke menduar që pasdite të veja në dhomën e kulturës ku, midis gazetave të tjera të ditës, besoja të gjeja edhe “Zërin e Rinisë”.

-Të lumtë, të lumtë, – më tha pastaj me ton të zbutur dhe u largua nga dhoma.

Pas atyre fjalëve që na vuri vath në vesh ai majori hijerndërëndë, unë, bukurshkruesi dhe zeshkani skicabërësi, vazhduam disi të mërzitur punën që e kishim nisur me aq zell.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"