“Topi kaloi vijën, arbitrat fajësonin njëri-tjetrin”, presidenti i Besëlidhjes: Gjyqtarë të papërgjegjshëm, na hoqën gol të rregullt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2022 | 9:14

“Topi kaloi vijën, arbitrat fajësonin njëri-tjetrin”, presidenti i Besëlidhjes: Gjyqtarë të papërgjegjshëm, na hoqën gol të rregullt

Besëlidhja nuk shkoi më larg se barazimi përballë Lushnjës. Një pikë që nuk vlen shumë, pasi i lë në zonën e rrezikut. Edhe pse në disavantazh, lezhjanët reaguan në fakt.

gjok noka

Shënuan dy herë me Ruben Danajn dhe u duk se do të dilnin fitimtarë, por në fund u “dogjën” nga ai gol i Xhonatan Lajthisë. Si çdo të hënë, edhe dje pati analizë. Para se të niste stërvitja për javën e 22-të, stafi teknik dhe ai drejtues folën para ekipit.

Trajneri Alban Bruka ka qenë shumë kritik ndaj të gjithë futbollistëve, por theksin e vuri tek ata që gabuan më shumë. Ai ka qenë i prerë këtë herë dhe ka paralajmëruar masa të ashpra për ata që do të vazhdojnë të gabojnë në 9 ndeshjet e mbetura. Nuk është kursyer as presidenti, ndërsa ka kërkuar kthesën e menjëhershme.

Numri një i klubit foli edhe për “Panorama Sport” pas mbledhjes me skuadrën. Pa i hequr asnjë presje asaj që u diskutua në analizë, ai në këtë deklaratë u mor me gjyqtarët. Gjok Noka është ndalur te një episod i së 85-ës, për një “gol fantazmë”. Nëse ai do të quhej, atëherë Besëlidhja do të dilte me pikët e plota nga kjo përballje.

“Ndeshja ndaj Lushnjës nuk u mbyll barazim as për zotësinë e lushnjarëve dhe as nga dobësia e ekipit tim. Pavarësisht se kam rezerva për lojtarët dhe për stafin, gjykimi ka lënë shumë për të dëshiruar.

Që kur drejtësia e kësaj ndeshjeje u la në dorë të Endrit Zhulit, dihej se si do të shkonte puna. Nuk është hera e parë që ky arbitër drejton me papërgjegjshmëri, gjë që ndikon drejtpërdrejt në rezultat. Topi shkoi në rrjetë, portieri e nxori nga andej, gjyqtarët ia hodhën fajin njëri-tjetrit, kryesori anësorit e anësori kryesorit dhe ne humbëm golin dhe për rrjedhojë gjithë ndeshjen.

Gjithçka është e filmuar dhe shihet qartë. Unë nuk mund të them që ekipi ishte i përkryer, por ndaj Lushnjës ndeshja duhej të mbyllej me shifrat 3-1. Gjithsesi, kemi edhe 27 pikë në lojë që na mundësojnë mbijetesën.

Besëlidhja e ka forcën dhe kapacitetin për të marrë pjesën e saj të mbijetesës”, përfundoi kreu i lezhjanëve, që beson se sezoni do të shpëtohet.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"